Invalidët protestojnë: Bashkia, fajtore për diskriminimin tonë
Shoqata e Invalidëve të Punës, e mbështetur edhe nga lëvizja "Mjaft" ka protestuar dje, përpara bashkisë së kryeqytetit, lidhur me trajtimin e tyre diskriminues, në linjat urbane në Tiranë. Sikundër paralajmëruan një ditë më parë, Këshilli Kombëtar i Invalidëve të Punës protestoi në dyert e pushtetit vendor të kryeqytetit, pasi ata e kanë konsideruar këtë institucion, si përgjegjësin kryesor për shkeljen e ligjit të statusit të invalidëve dhe keqtrajtimin e tyre nga punonjësit e transportit urban në Tiranë. Invalidët, gjatë protestës së tyre të djeshme, janë dëgjuar nga vetë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama.
Ai ka pranuar situatën e diskriminimit të invalidëve nëpër linjat e transportit qytetas. Por, sipas tij, një situatë e tillë është krijuar si pasojë e mungesës së sigurisë së librezave. Kryebashkiaku Rama, duke folur përpara invalidëve të punës, ka premtuar se pas 1 janarit të vitit 2008 librezat e reja do të kenë katër elementë sigurie, që do të zgjidhin përfundimisht problemin e besueshmërisë së tyre.
Shoqata e Invalidëve të Punës ka denoncuar dy ditë më parë moslejimin e tyre për të udhëtuar falas në transportin publik, si dhe trajtimin fyes e poshtërues nga ana e personelit të linjave urbane të autobusëve në kryeqytet. Këshilli Kombëtar i Shoqatës së Invalidëve të Punës, i cili përfaqëson mbi 37 mijë invalidë të tillë në të gjithë vendin, shfaqi shqetësimin lidhur me zbatimin e ligjit të transportit urban dhe interurban për invalidët. Ata fajësuan veçanërisht Bashkinë e Tiranës, por dhe institucione të pushtetit qendror, për moszbatimin e ligjit "Për statusin e Invalidëve të Punës", në lidhje me transportin urban dhe interurban, mbi taksat vendore, ngritjen e pensioneve, trajtimin me ndihmë paaftësie të invalidëve të punës me sëmundje profesionale dhe aksidente në punë. "Bashkia e Tiranës është institucioni që nënshkruan kontratat me operatorët e transportit publik dhe si e tillë është direkt përgjegjëse dhe fajtore për mosndëshkimin e firmave, kur ato shkelin ligjin dhe kontratat, duke trajtuar në mënyrë çnjerëzore grupe në nevojë, siç janë edhe invalidët e punës", deklaruan përfaqësuesit e Shoqatës së Invalidëve një ditë përpara protestës para qeverisë qendrore të kryeqytetit.