Ilaçet, Urdhri i Farmacistëve vë alarmin
Urdhri i Farmacistëve dhe të gjithë aktorët e tjerë, të cilët merren me "kujdesin" e tregtimit të barnave për të gjithë popullatën janë tepër të shqetësuar lidhur me kërkesën më të fundit të Task-Force për tregtimin e barnave pa leje importi.
Me shqetësimin për ngjarjet e ditëve të fundit lidhur me një projektligj të dërguar në Këshillin e Ministrave dhe më pas në Kuvend, nismë e Task-Force për të lehtësuar barrierat burokratike në licencimin e veprimtarive farmaceutike, përbën jo një ndryshim por një deformim të ligjit "Për Barnat dhe Shërbimin Farmaceutik". Ky ligj po kërkon të heqë lejen e importit për importimin e barnave, licencimin e veprimtarive farmaceutike jo nga Komisionet e Posaçme të Ministrisë së Shëndetësisë por kalimin e tyre tek autoritetet jo të specializuara në nivel lokal. Ky propozim po kërkon heqjen e kritereve të rëndësishme të Licencimit të Aktivitetit Farmaceutik që garantojnë shërbim të kualifikuar dhe akses për marrjen e tij nga popullata. Është ky paralajmërimi që vjen nga institucioni i Urdhrit të Farmacistëve.
Pasojat
Sipas kreut të Urdhrit të Farmacistëve, Arjan Jaupllari, kjo do të thotë: "destabilizim i Shërbimit Farmaceutik, kthim 15 vjet mbrapa, që nga miratimi i ligjit të parë për barnat, mosgarantim i cilësisë, sigurisë dhe efikasitetit të barit". Sipas Jaupllarit, kjo do të thotë mosgarantim i shërbimit ndaj pacientit dhe njëkohësisht ulje e cilësisë së shërbimit.
"Nëse do të miratohen ndryshime të tilla, kjo do të ndikojë në prishjen e rregullave të qarkullimit të barnave, heqje të konceptit të Pullës së Sigurisë dhe Çmimit të Barnave,
shkatërrim të Skemës së Sigurimeve Shëndetësore", thekson kreu i farmacistëve. Sipas tij, në këtë pikë do të ketë vërshim të barnave me skadencë të ulët ose të skaduara, legalizimin e tregut informal dhe kontrabandës së barnave, shkatërrimin e Shërbimit Farmaceutik dhe farmacive në numër dhe shtrirje gjeografike.
Po ashtu shteti do të "garantojë" në këtë mënyrë lënien pa Shërbim Farmaceutik të zonave rurale si dhe largimin e kompanive farmaceutike multinacionale nga tregu farmaceutik shqiptar.
"Do të ketë me siguri shkatërrim të hallkave të shërbimit farmaceutik (importues-shpërndarës-farmaci, humbje të konceptit të deklarimit të çmimit të barnave", vijon Jaupllari.
Ai nënvizon se kjo sjell krijimin e mallrave stok, të cilat janë të destinuara ose të shiten në mënyrë ilegale ose të asgjësohen. Një gjë e tillë pohon ai, e kthen Shqipërinë në një Bajzë dhe Porto Romano, në një vend me risk të madh për futjen e barnave të falsifikuara.
Legjislacioni sot
Falë një legjislacioni të përafërt me atë të Komunitetit Evropian elementët që quhen barriera për barin dhe farmacistin, janë lehtësi për subjektet e licencuara dhe të kontrolluara dhe barrierë për informalitetin dhe kontrabandën e barnave.
Ato realizojnë qëllimin e tyre kryesor, garancinë, sigurinë, efikasitetin e barit dhe cilësinë e shërbimit farmaceutik për mbrojtjen e shëndetit të konsumatorit. Sot, importimi i barnave që nga momenti i marrjes së Lejes se Importit dhe deri në dhënien e pullës nga QKKB-ja, realizohet brenda ditës dhe është tërësisht i kontrolluar dhe i monitoruar. Po ashtu, licencimi i veprimtarive farmaceutike sot, bëhet nga një Komision i Posaçëm në Ministrinë e Shëndetësisë, ku rolin kryesor dhe përcaktues e kanë Drejtoria Farmaceutike dhe Qendra e Kontrollit të Barnave. E para përgjegjëse për politikat e barit dhe të shërbimit farmaceutik ndërsa e dyta përgjegjëse për prodhimin, importimin, kontrollin, analizën, ruajtjen e barit, por dhe kontrollin në shërbimin farmaceutik.