Ligji i duhanit, zbatimi duhet të nisë nga shëndetësia
Ligji antiduhan duhet të nisë zbatimin nga institucionet shëndetësore. Nëse ky ligj nuk arrihet të zbatohet në vendet ku ka mjekë, specialistë, inspektorë të shëndetësisë, atëherë nuk do të gjejë zbatim as në popullatë. Me nisjen e vitit të ri, iniciatori i projektligjit "Për mbrojtjen nga produktet e duhanit", deklaroi se do të ketë masa edhe më të rrepta për të gjithë ata që nuk duan të zbatojnë ligjin. "Vetë ministri i Shëndetësisë duhet të kërkojë në fillim zbatimin e ligjit në institucionet shëndetësore dhe më pas të vazhdojnë kontrollet në të gjithë ambientet publike. Zbatimi i ligjit duhet të fillojë nga vetja, duke nisur nga shëndetësia", sqaroi formuluesi i projektligjit dhe specialist i Shëndetit Publik, Roland Shuperka. Sipas tij, ministri i Shëndetësisë duhet të marrë masa dhe penalizime të rrepta duke bërë edhe shkarkime nga puna për të gjithë ata drejtues të institucioneve shëndetësore që nuk arrijnë të kontrollojnë vartësit e tyre për zbatimin e ligjit. "Jemi të predispozuar që këtë ligj ta çojmë drejt zbatimit edhe me ndryshimet që priten të aprovohen edhe më tej", sqaroi Shuperka.
Disa nga ndryshimet e kërkuara në mbledhjen fundit të Komisionit të Shëndetësisë ishte edhe përfshirja e policisë në kontrollet e ambienteve publike për zbatimin e ligjit. Sipas sugjerimeve dhe diskutimeve, mendohet që një rol të rëndësishëm në vendosjen e gjobave dhe kontrollin për zbatimin e ligjit të ketë edhe policia. Sipas Drejtorisë së Shëndetit Publik, një mungesë që ka ligji aktual është pjesa e vjeljes së gjobave. Aktualisht, gjobat e vendosura nga inspektorët duhet të vilen nga pushteti vendor, i cili nuk është shumë aktiv për të nxitur zbatimin e ligjit. Për këtë dhe pika të tjera ku ka pasur ngërç pritet të ketë disa ndryshime të rëndësishme në ligjin aktual "Për mbrojtjen nga produktet e duhanit".