Mediu: Shqipëria, mision dhe në Afrikë
Kontributi i Shqipërisë në Misionin ISAF në Afganistan ka qenë në qendër të bisedimeve që ministri Mediu zhvilloi me homologët e tij. Gjatë takimit të Vilniusit, Ministri Mediu deklaroi angazhimin maksimal të Shqipërisë si pjesë e operacionit ISAF. Në seancën plenare, ai deklaroi: "Qeveria shqiptare, e mbështetur nga i gjithë spektri politik shqiptar do të vazhdojë pjesëmarrjen me trupa ushtarake në përbërje të ISAF, për sa kohë që NATO do të vazhdojë të jetë në Afganistan. Toga në Kabul nën komandën turke po përmbyll misionin e vet të 11-të. Muajin e kaluar nisi Misioni i Dytë i Kompanisë Shqiptare në Herat nën Komandën Italiane. Ne do të vazhdojmë pjesëmarrjen në Misionin e Gjashtë të Ekipit Mjekësor të Përbashkët të vendeve të Kartës së Adriatikut nën komandën çeke". Gjatë takimit të Vilniusit, ministri shqiptar i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, zhvilloi takime dypalëshe me homologun e tij francez, Herve Morin, dhe atë polak, Bogdan Klich. Gjithashtu, ai pati dhe takime të shkurtra me Ministrin e Mbrojtjes të Gjermanisë, Italisë, me Ministrat e Mbrojtjes të Kroacisë e Maqedonisë, me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, si dhe personalitete të tjera të larta. Në takimin me ministrin francez, Morin, Mediu theksoi rëndësinë e të qenit pjesë e sigurisë evropiane. "Po punojmë për të kontribuar konkretisht në misionin e BE në Çad, si pjesë integrale e kontingjentit francez". Ndërsa ministri francez i Mbrojtjes, Morin, konstatoi me kënaqësi transformimet pozitive në Forcat e Armatosura Shqiptare, të cilat po ecin paralel me reformat dhe transformimin e Shqipërisë. "Kemi mirëpritur shprehjen e dëshirës nga ana juaj për të kontribuar në Misionin Paqeruajtës të Çadit", - u shpreh Morin.