Ruçi: Vdekja e minatorit, ministri Ruli të japë dorëheqjen
"Ministri Ruli të japë dorëheqjen si sinjal i parë, që kjo qeveri nuk do bëjë vetëm ngushëllime". Kjo ishte kërkesa e djeshme e kryetarit të Asamblesë Kombëtare Socialiste, Gramoz Ruçi. "Jam para jush, për të shprehur ngushëllimet në emër të Partisë Socialiste, bashkëshortes, fëmijëve dhe të afërmeve të të ndjerit Njazi Jalliut", tha Ruçi. Ai u bashkua me dhimbjen e dytë radhazi në të njëjtën familje dhe në të tetën radhazi në të njëjtën minierë e qytet, duke lënë pas prindër pa djem, gra pa bashkëshortë dhe gjithsej 19 jetimë, pa prindërit e tyre në harkun e një viti. "Por, unë jam sot këtu, të denoncoj se mashtrimet për kushte më të mira pune, dje iu shtua cinizmi pa kufij i shtetit, se faji për tragjedinë e ka vet minatori", u shpreh Ruçi. Shteti, sipas tij, po i vret dy herë këta njerëz të pafajshëm, një herë me indiferencën për kushtet e sigurisë, duke mos realizuar asnjë cent nga 25 milionë dollarë të parashikuar në kontratën e firmosur për këtë qëllim dhe një herë tjetër me mungesën e përkrahjes, deri me cinizmin dhe zhvleftësimin e jetës së tyre. "Këta njerëz, ndihen çdo ditë më shumë të braktisur nga qeveria dhe Kryeministri i tyre", theksoi Ruçi. Numri dy i socialistëve nënvizoi faktin se Kryeministri ngushëlloi dhe përsëri ngushëlloi për të 8 herë, por qytetarët e Bulqizës dhe veçanërisht minatorët, nuk presin nga Kryeministri i tyre ngushëllime, por presin nga ai se si do t‘ju sigurojë jetën. "Ata presin nga Kryeministri i tyre që të shkojë në Bulqizë, për të parë nga afër se ku punojnë e jetojnë ata njerëz minatorë. Ata presin se kur ministri apo Kryeministri i tyre do të thotë me masa konkrete ‘ndal‘ tragjedive të tilla", insistoi Ruçi. Ai tha se minatorët dhe familjet e tyre presin se kur Kryeministri apo ministri i tyre, do t‘i thonë ndal dhënies korruptive për galeritë e Bulqizës. "Ata presin nga Kryeministri se kur do t‘i thotë ndal frikës dhe ankthit, se po u futën në minierë, nuk dinë a do dalin më të gjallë", u shpreh ai. Ruçi shtroi në pyetje faktin se kur ministri dhe Kryeministri, do ta ndiejnë veten sadopak fajtor për t‘u dhënë fund këtyre tragjedive. "Pra, për t‘i dhënë përgjigje këtyre pyetjeve, qeveria e Shqipërisë dhe ministria e linjës, kanë dështuar totalisht, të kapur nga korrupsioni, paaftësia dhe së fundmi papërgjegjshmëria në ekstrem për jetën e njeriut", vlerësoi Ruçi. Njeriu i hekurt i socialistëve, sugjeron se dhënia e menjëhershme e dorëheqjes së ministrit të Ekonomisë, Genc Ruli, do të ishte ndjesa e parë për jetën e këtyre njerëzve, si dhe sinjali i parë, që kjo qeveri nuk do të bëjë vetëm ngushëllime. Dy ditë më parë, kryetari i Partisë Socialiste gjatë debatit për mirëqeverisjen vendore ndërhyri për të ndarë dhimbjen për humbjen e jetës së minatorit Njazi Jalliu, si dhe solidaritetin me të gjithë minatorët që punojnë në mbarë vendin në kushte primitive. "Përpara 30 minutash, në Bulqizë, ka vdekur një minator tjetër, pasi është shembur galeria. Shpella e vdekjes vazhdon në mënyrë sistematike, të marrë jetë njerëzish, të lërë fëmijë jetimë, të lërë nëna të veja, sigurisht, pa asnjë mbështetje tjetër serioze financiare dhe pa asnjë garanci për të ardhmen e fëmijëve", u shpreh Rama. Ndërsa shprehu besimin se është e paperceptueshme, që komunitetet që jetojnë aty ku gjenden këto pasuri, me të cilat bëhet biznes shumë fitimprurës, të mos kenë asnjë të drejtë mbi ato pasuri. "Përveçse të jenë të shndërruar në një komunitet skllevërish, burra që ndahen çdo ditë në mëngjes me fëmijët e tyre, me idenë se nuk do të kthehen më dhe një komunitet skllavesh gra, të cilat presin me dorë në zemër nga dera nëse do të vijë apo jo babai i tre, katër, pesë apo gjashtë fëmijëve", insistoi ai. Rama konstatoi se me rrogën mjerane të kësaj pune hipur në shpinën e vdekjes, mbahet gjallë fryma e mijëra e mijëra fëmijëve të Bulqizës dhe e dhjetëra fëmijëve kudo ka miniera të tjera në vend, por që për Sali Berishën dhe qeverinë e Sali Berishës është një shprehje gjeografike dhe nuk është një realitet ku jetojnë njerëz. Kreu i opozitës ka udhëtuar në më shumë se një herë në Bulqizë, ka parë vetë ambientet ku punojnë minatorët, duke diskutuar me familjet e tyre për nivelin e jetesës.