E Diel, 1 Nëntor 2026

Pengmarrja në Thumanë, në pranga mjeku dhe kryeplaku

Pranga kryeplakut dhe mjekut të fshatit, fshehën pengmarrjen dhe dhunimin e dy personave. Shtrenjtimi i kostos së jetesës dhe rritja e varfërisë kanë sjellë rritjen e krimit në Qarkun e Durrësit. Një vjedhje e bërë ka nxitur një pengmarrje dhe përfshirjen e disa personave në të. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Komunën e Niklës në rrethin e Krujës. Dy persona janë marrë peng, ndërsa pas hetimeve dhe zbardhjes së krejt ngjarjes prangat janë shtrënguar edhe në duart e kryeplakut të fshatit. Burime nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Durrësit bënë të ditur pasdrekën e djeshme se është arrestuar në flagrancë shtetasi Baftjar Topalli, lindur e banues në Tapizë të rrethit të Krujës. Topalli, duke qenë i bindur se dy pengjet e tij kishin shtënë në dorë një sasi parash të tij ka ushtruar dhunë ndaj tyre dhe u ka marrë një deklaratë të nënshkruar ku pohojnë se janë ata autorët e vjedhjes. Gjithçka është bërë me dhunë, ndërsa kanë qenë familjarët e pengjeve që kanë vënë në dijeni policinë dhe kanë kërkuar ndërhyrjen e saj, duke denoncuar edhe implikimin e kryeplakut dhe mjekut të fshatit në ngjarje. Pengjet, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur nga policia janë mbajtur të izoluar jo vetëm në banesën e Topallit, por edhe në autobusin me të cilin punon. Sipas burimeve policore, arrestimi i Baftjar Topallit u bë pasi më 3 shkurt në bashkëpunim me djemtë e tij Ardian dhe Fatos Topalli dyshohet se i kanë hequr për disa orë lirinë në mënyrë të paligjshme shtetasve A.S. e K.B. Ndërkohë, djemtë e të arrestuarit janë në kërkim nga policia. Dy të rinjtë janë mbajtur peng nga ora 8 e mëngjesit deri pasditen e vonë të kësaj dite. Rreth orës 17.00 ata janë lënë të lirë, ndërsa policia ka mundur të zbardhë ngjarjen dhe të nisë hetimet për të gjithë personat e përfshirë në ngjarje. Kështu, babai dhe dy djemtë e tij akuzohen për veprat penale të heqjes së paligjshme të lirisë në bashkëpunim dhe shkatërrimit të pronës. Ndërkohë, në pranga është vënë dhe shtetasi Gjin Nikolla, 45 vjeç, lindur në Milot e banues në Nikël të Krujës, me arsim të mesëm dhe me detyrë mjek fshati në Komunën Nikël. Prangat janë shtrënguar edhe në duart e Avdi Bamit, 37 vjeç nga fshati Tapizë, me arsim të mesëm dhe i zgjedhur si kryeplak i këtij fshati. Këta dy persona janë arrestuar pasi kanë qenë në dijeni të ngjarjes dhe nuk e kanë kallëzuar atë pranë organeve kompetente. Sipas burimeve policore, mjeku dhe kryeplaku e dinin që në banesën e Topallit ishin marrë peng dy bashkëfshatarë të pengmarrësve. Arsyeja ka qenë vjedhja e një sasie parash dhe Topallët kanë kapur të dyshuarit, duke i mbajtur nën presion dhe dhunuar për të pranuar dhe marrë prej tyre atë çfarë kërkonin. Si pasojë e plagëve të marra nga rrahja është thirrur nga dhunuesit mjeku i mesëm i fshatit për t‘i parë, ndërsa kryeplaku është thirrur si dëshmitar në firmosjen e deklaratës në të cilën pranonin vjedhjen. Ndërhyrja e policisë ka bërë që dy djemtë e Topallit të largohen në drejtim të paditur, ndërsa bashkë me të janë kapur dhe ata që ishin në dijeni të pengmarrjes. Ngjarja e rëndë ka tronditur të gjithë banorët e fshatit krutan, ndërsa vazhdojnë kërkimet për dy të rinjtë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›