Irani, gati kombëtaren për "El Pibe D‘Or"!?
Gazeta spanjolle "As" ka publikuar dje një lajm që i ka hapur rrugë shumë spekulimeve rreth të ardhmes së Diego Armando Maradonës. Sipas saj, drejtuesit e Federatës Iraniane të Futbollit kanë kontaktuar me legjendën e futbollit argjentinas duke i propozuar atij rolin e trajnerit të kombëtares, për të udhëhequr skuadrën drejt Botërorit 2010. Gjatë ditëve të fundit, u bë e ditur se në këtë post ishte caktuar Havier Klemente, spanjolli që ka drejtuar përveç kombëtares së vendlindjes së tij edhe Serbinë, por që duket se nuk është bindur plotësisht nga kontrata trevjeçare që i është propozuar nga iranianët. Dihet që Presidenti iranian, Ahmadinexhad, është një adhurues i Maradonës, me të cilin ka pasur edhe një takim miqësor në muajt e kaluar, ndaj federata ka vrapuar për të plotësuar dëshirën e tij. Edhe tifozeria duket e entuziazmuar nga kjo hipotezë, por deri tani, federata ka konfirmuar vetëm kontaktet me Klementen.