Burgas, Aleksandropoulos, gati ndërtimi
Pas një kalvari marrëveshjesh politike dhe memorandumesh mirëkuptimi, Rusia, Greqia dhe Bullgaria kanë filluar punën në terren për ndërtimin e gazsjellësit rival të AMBO-s, "Burgas Aleksandropoulos". Mediat bullgare raportuan se javën tjetër në Sofje do të nënshkruhet kontrata me kompaninë që do të ndërtojë naftësjellësin në pjesën bullgare. Sipas këtyre mediave, nënshkrimi mund të bëhet gjatë vizitës së Presidentit rus, Putin, në Bullgari, axhenda kryesore e së cilës do të jetë pikërisht mbyllja përfundimtare e procedurave, që do t‘i hapnin rrugë fillimit të ndërtimit të kësaj vepre. Qeveria bullgare ka përzgjedhur si ndërtuesen e naftësjellësit që do të transportojë naftën e Kaspikut drejt Evropës, një kompani joint-venture, të zotëruar nga shoqëria publike bullgare "Tehnoexportstroi" dhe "Bulgargaz". Themeluesit e saj kanë vendosur, gjatë një takimi muajin e kaluar, që selia e shoqërisë të jetë në Holandë. Por pavarësisht kësaj, mediat bullgare vazhdojnë të shprehen skeptike rreth fatit të projektit, duke e quajtur ndërtimin e tij sërish si të pasigurt. Si argument për këtë ato përdorin faktin që qeveria bullgare ka dhënë aprovimin edhe për projektin tjetër që përfundon në Shqipëri, AMBO. Po kështu ato thonë se projekti ruso-grek do të hasë në rezistencën e qytetarëve të Burgasit dhe Aleksandropoulosit, për shkak të ndikimeve të tij të mundshme në mjedisin e këtyre dy qyteteve. Bullgaria ka vendosur të mbajë referendumin e saj për këtë çështje në 17 shkurt të këtij viti.
AMBO, prioritet i BE-së
Projekti AMBO, i cili mbështetej fillimisht fort nga amerikanët, konsiderohet nga Bashkimi Evropian si një prioritet, pavarësisht faktit se prej vitesh ky projekt ka ngecur në vend. E kundërta ndodh me projektin rival ruso-grek, i cili nuk gëzon mbështetjen e Komisionit Evropian për shkak se ky i fundit i trembet monopolit energjetik rus në Evropë. Ndonëse beteja për të shtënë në dorë naftën e Kaspikut sa vjen e ashpërsohet, analistët ndërkombëtar janë skeptikë mbi fatin e dy projekteve kryesore që synojnë transportimin e saj në tregun evropian, AMBO dhe "Burgas-Aleksandropoulos". "Është shumë më pak e kushtueshme të transportosh naftën me anije përmes Bosforit, se sa të ndërtosh një naftësjellës që kushton 1 miliard dollarë", thotë Ed Chow, analist i energjisë. Sipas tij, të dy projektet do të varen nga mbështetja që do të marrin nga kompanitë perëndimore të naftës si "British Petroleum", "Exxon" apo dhe "Chevron". "Në rast se këto kompani do të vendosnin të mbështesnin AMBO-n, apo variantin rival "Burgas Aleksandropoulos", kjo do t‘i vendosë ato në një disavantazh kostosh. Kjo shpjegon dhe arsyen se pse këto dy projekte, megjithëse ka mbi 10 vjet që flitet, nuk janë ndërtuar akoma", vazhdon ai. Por përveç kostos së tyre fillestare, ndërtimi i naftësjellësve ngre dhe një tjetër pikëpyetje. Në rast se do të realizohet varianti grek, "Burgas Aleksandropoulos", që mbështetet fuqimisht nga Rusia, kompanitë perëndimore që zotërojnë vendburime nafte në Kaspik do ta kenë shumë të vështirë të transportojnë naftën e tyre, ose në rastin më të mirë kjo do të rrisë kostot e transportimit, pasi rusët do të kërkojnë nga to të paguajnë për këtë.
Fondet
Në fund të muajit gusht, kompania që do të ndërtojë naftësjellësin transballkanik AMBO,njoftoi se ka arritur të sigurojë rreth 900 milionë dollarë deri tani, që do të përdoren për financimin e ndërtimit të kësaj vepre. Sipas afateve të vendosura nga Shqipëria, Bullgaria dhe Maqedonia, që janë tre vendet ku kalon naftësjellësi, ndërtimi i këtij projekti do të përfundojë brenda 3 vjetësh, pra në vitin 2011. Kjo është konfirmuar edhe nga drejtuesi i kompanisë që do ndërtojë naftësjellësin, Ted Ferguson. "Presim që deri në fund të vitit 2008 të fillojmë me ndërtimin, që do të zgjasë dy vjet e gjysmë dhe tankerët e parë me naftë të rrjedhin përmes naftësjellësit deri në fund të vitit 2010, më e shumta deri nga mesi i vitit 2011", ka deklaruar presidenti i kompanisë AMBO, Ted Ferguson, ndonëse kjo aktualisht duket shumë e vështirë.