Tranzicioni dhe ca vdekje
Sa mirë do të ishte sikur këtë periudhën e stërgjatë, që e kemi quajtur vetë "tranzicion", ta shikonim nga një këndvështrim i mbarë, gati-gati bojërozë, njësoj sikur të kishim kapërcyer ylberin. Sa mirë do të ishte që para syve tanë të shihnim vetëm shqiptarë të veshur më mirë, të ushqyer më mirë, të strehuar më mirë, të shkolluar më mirë, më të butë e më të paqtë… Kështu edhe tranzicioni ynë i tejzgjatur nuk do të bëhej i mërzitshëm apo strehë e ndokujt që kërkon të fshehë pas tij defektet dhe paaftësitë e veta. Porse, kjo puna e atyre që merren me shtypin apo janë të punësuar në media, nuk varet thjesht nga dëshirat. Në këtë dreq profesioni duhet të merresh si me të ligën, ashtu edhe me të mirën. Madje, më së shumti, duhet të merresh me të ligën. Eshtë pikërisht kjo, që në shumicën e rasteve ia kalon të mirës për kah fuqia, këmbëngulja, zgjuarsia, rrënjët e forta. E kështu që na e ka dashur puna që të merremi me një pjesë të fortë të së ligës, me vetë vdekjen. Që nga orët e para të këtij viti e deri në momentin që shkruhen këto radhë, nuk kemi bërë gjë tjetër, veçse kemi mbajtur shënim një numër të lartë viktimash, shqiptarë njësoj si ne, që humbin jetën në mënyrë jo edhe aq të justifikueshme për një tranzicion.
Ka shumë gjasë që studentët e sotëm të sociologjisë apo të historisë brenda pak kohësh këto shënimet tona dhe shifrat që jep Policia t‘i kenë si lëndë të parë për studime të plota se si po jetojmë ne sot. Në të shumtën e herëve thelbi i një kombi, apo i një shoqërie matet me hapat që bën ai përpara, pra me mënyrën se si ai ka jetuar, por po aq e rëndësishme është edhe se si, qysh e tek vdesin njerëzit e këtij dheu. Dhe prandaj, nëse shënojmë ndonjë rast të këtyre ditëve, duke mësuar se si po vdesim përditë e pak nga pak, mbase do të jemi edhe më të qartë se si po jetojmë.
Të parët që u morën me vdekjen dhe me shkaqet e saj, të parët që nisën të mbanin shënim ndër regjistra të trashë varganin e madh të atyre që niseshin për në botën e përtejme, ishin misionarët katolikë të shpërndarë në shkrepat e Veriut. "Liber Defunctorum" (Libri i të vdekurve) i disa famullive të Veriut përbën pa dyshim njërin prej dokumenteve unikalë për të kuptuar të shkuarën tonë. "Vra prej rrfejet, mytë prej turkut, vdekë prej gjaksit, ra n‘pus…". Të gjitha shkaqet e vdekjeve dhe sidomos mosha e re e të ndjerëve janë një arsye për të ndjerë në shpirt një ndjenjë të thellë trishtimi, porse, posa kalon atë ndjesinë e parë, të gjitha vdekjet duken gati-gati të justifikueshme. Deri një shekull më parë, Shqipëria ishte një vend primitiv dhe i izoluar. Një vend ku sëmundjet, mungesa e ushqimit, injoranca, izolimi, luftërat bënin kërdinë. Asokohe vdekja nga shkaqe të tilla ishte krejt normale, në shumicën e rasteve madje pritej edhe me një lloj ngazëllimi, njësoj si një ngjarje që kishte kohë që duhej të ndodhte. Ishin vdekje primitive në një vend primitiv. Të gjithë ishin pajtuar me këtë. Jeta e shkurtër nuk ishte gjë tjetër veçse një stacion ku qëndrohet pak në pritje të "kapakut të artë". Askush nuk pyeste më nëse njëri apo tjetri kishin shkuar në këtë apo atë jetë. Vetëm thuhej "vdiq me nder". Dhe kjo i mbyllte të tëra diskutimet.
Në fakt, nuk kanë kaluar edhe aq shumë vite që nga koha kur ne, shqiptarët e konsideronim kështu vdekjen. Kanë kaluar a s‘kanë kaluar njëqind e ca vjet, jo më tepër. Tani nuk jemi më primitivë, nuk jemi më të paushqyer e të paveshur, nuk jemi më malarikë apo shëndetligë e analfabetë. Jemi një komb e një shtet vetëm pak hapa larg pragut të Evropës. Të paktën kështu mundohen të na e mbushin mendjen të parët tanë. Mirëpo, sikurse e thamë ca më lart, që ta kuptojmë se si jetojmë, nganjëherë do të na duhet të kujtojmë edhe se si vdesim, ja disa nga shembujt e këtyre dy javëve të fundit.
Në autostradat apo superstradat shqiptare bëhet nami. Nuk kalon ditë pa parë në ekranin e TV makina të përgjakura, gracka metalike që marrin jetë njerëzish. Shumë herë edhe këmbësorë kapërcejnë pragjet e betonta, duke u bërë sfidë makinave. Përfundojnë nën rrota, sigurisht, duke e shtuar edhe më vargun e gjatë të viktimave të rrugëve. Ditët e fundit qeveria vendosi të shtojë policët në rrugët më të rrezikshme. Bëri mirë, kaq ka në dorë, të paktën. Porse në këto raste na kujtohet gjithnjë e më shpesh psherëtima e thellë e një polici rrugor, një i njohuri ynë i vjetër. "Eh, more djema - na pat thënë dikur kur shiu i rreptë po lante gjakun e një aksidenti të porsandodhur - çfarë të bëjmë ne më tepër. Shikoji si ecin në këmbë e si shtyhen nëpër radha dhe u them unë se si ecin në makinë. Kujtojnë se të ecësh në rrugë është njësoj si të ecësh në bahçe…". Polici i dëshpëruar, i lagur deri në palcë, kishte të drejtë. Edhe të ecësh, qoftë në këmbë, në makinë, në çikletë është shenjë kulture, kështu që viktimat e këtij lloji, duhen cilësuar, duke pranuar një dozë të fortë cinizmi realist, "viktima të pashmangshme të progresit".
Nga thellësitë e kohërave dhe nga muzgu i shkrepave disa mundohen të na mbushin mendjen se Kanuni i Lekë Dukagjinit është ende i gjallë dhe plotësisht në fuqi, njësoj si në kohët e errëta të motmotit. Në Bathore një plak vret pa iu dridhur qerpiku vëlla e motër. "I vrava për Kanun", citohet të ketë thënë atentatori plak. Dy të rinj u kallën në dhe, dy familje tani janë në thep të pushkës dhe opinioni duket si i hallakatur: hakmarrje apo gjakmarrje? Për ata që nuk e dinë, apo që nuk duan ta dinë, apo që duan të nxirosin një monument juridik e historik, sikurse është Kanuni i Lekës, hakmarrja është të errurit vrastar të syve, është ajo ndjenjë e fshehur te çdo gjallesë njerëzore, mëria që fiton mbi logjikën, e keqja që fiton mbi të mirën, vdekja që fiton mbi jetën. Kjo nuk ka aspak lidhje me të qenit gjerman, amerikan, italian, shqiptar, me të qenit nga Veriu apo nga Jugu, është thjesht një kthim i njeriut në instinktet e vjetra vrastare. Gjakmarrja, përkundrazi, është një sistem normash, primitive vërtet, por fort të efektshme, që në mungesën totale të shtetit, sikurse e konceptojmë ne sot, mundohet të vërë fre dhe jo të nxisë të vrarët e njerëzve. "Vriten për gjakmarrje vëlla e motër", u shkruajt nga kolegët vetëm pak orë pas vrasjes. Kolegët kishin harruar se të vrasësh një femër apo një fëmijë në bazë të famëkeqes gjakmarrje është më e dënueshme se të gjitha fajet e kësaj bote të marra së bashku. Tranzicioni pra, na paska shpikur një lloj tjetër vdekjeje, krimin e thjeshtë të fshehur pas "Kanunit" dhe pas mosdijes mbi të.
Le të kalojmë tani në një kapitull tjetër të nxirosur. Në atë që ka nisur të quhet "helmi kombëtar" i yni. Përpara i thoshin thjesht "bar miu", tani ka dalë në skenë emri i tij i vërtetë. I frikshëm porsi një thikë e mprehtë, apo si ndonjë formulë shtrigane: fostoksina. Vajza adoleshente të zhgënjyera nga të dashurit, prindër fatkeqë që nuk arrijnë më prej vitesh të gjejnë se ku i kanë përfunduar fëmijët, borxhlinj të këputur, tregtarë të rrënuar, bixhozçinj të thekur, por kurdoherë të palumtur, të gjithë këta e kanë gjetur zgjidhjen që u jep fund halleve të tyre. Mjaftojnë disa kokrra nga "bari i miut" dhe vdekjet e tyre e zgjasin edhe më listën e viktimave të tranzicionit.
Më i fundit nga të gjithë këto raste ishte ai i një çifti të moshuarish në një fshat të Peqinit. Të dy nuk ndiheshin mirë në shtëpinë e vajzës. Të dy kishin turp të dilnin në fshat. Të dy tashmë e kishin humbur pushtetin mbi familjen. Bënë gati varret e tyre, hëngrën një vaft bashkë dhe pinë kokrrën e bardhë të mallkuar. Mjekët thonë se kanë kaluar një agoni të gjatë. Ka qenë një vdekje e tmerrshme. Historia e tyre i ka të gjitha brenda: edhe krenarinë, edhe modestinë, por edhe egoizmin e tepruar, edhe dëshirën për të mos i rënë në qafë kujt, edhe ndjenjën e respektimit të vlerave të familjes, edhe lodhjen para pësh-pësheve të dynjasë, edhe zhgënjimin nga një jetë e tërë e kaluar mes halleve. Me një fjalë, lajmi i vetëvrasjes së dy të moshuarve nga fshati i Peqinit, është po aq tragjik sa edhe domethënës. Nëse ne të mediave do të kishim kohë të merreshim ca më tepër me të, atëherë do të zbulonim se si pak nga pak, prindërit e gjashtë vajzave, që nuk flisnin me djalin e tyre të vetëm, nisën të shkonin nëpër mend këtë fund të padëgjuar. Kemi të bëjmë me shumë fenomene njëherazi. Kemi të bëjmë me humbjen e pushtetit patriarkal të të zotit të shtëpisë, kemi të bëjmë me pavarësinë e të rinjve në familjet tradicionale fshatare dhe kemi të bëjmë më në fund me ambientet tona të harruara. Atje ku jo të gjithë mendojnë me trutë e "Bllokut" të sotëm të Tiranës.
Kemi të bëjmë, pra, njëherazi me një vdekje në tranzicion, por edhe, në një farë mënyre, me vdekjen e tranzicionit vetë, ose të paktën të një pjese të tij. Ndodhi kështu, sepse në fakt, kjo vetëvrasje e dyfishtë u prit me një respekt të heshtur, njësoj sikur njerëzit porsa kishin parë një tragjedi antike, por, në fund të fundit, askush nuk e justifikoi. Që të modifikojmë jetën, mbase do të na duhet që t‘i hedhim sytë disi më tepër edhe nga ajo që qëndron e gatshme në çdo moment matanë saj. Tranzicioni nuk duhet të jetë më mburoja e vdekjeve absurde, përndryshe për shumëkënd këta 17 vjet ëndërrimtarë do të nisin të jenë vetëm disa vjet të kaluar si në ëndërr dhe aq.