Dikur dhe ne ishim "persë"
Për gati gjysmëshekulli në Kukës ka funksionuar një prej ndërmarrjeve më të famshme të vendit, artizanati, apo siç quhej NPN që merrej kryesisht me prodhimin e sixhadeve. Kishte përfshirë një numër të madh talentesh të kësaj fushe dhe gërshetonte traditën me modernen. Në gjysmën e parë të shekullit XX, kjo ndërmarrje nisi fillimisht në Bicaj e më pas u zgjerua edhe në Kukës për t‘u bërë shumë e njohur në botë përmes panaireve ku përfaqësohej, por edhe përmes dhuratave qeveritare dhe ekspozitave të ndryshme në atë kohë. Rënia e kësaj ndërmarrjeje fillon në vitin 1992, kur sipas raporteve të kohës, bie tregu i shitjes në Perëndim. Ndërsa një vit më pas privatizohet, por rënia nuk ndalet. Në vitin 1998, ndërmarrja më e madhe në vend për sixhadet dhe qilimat mbyllet. 1000 punëtore gra dhe vajza të qytetit të Kukësit dhe nja 200 të tilla në Bicaj dalin të papuna.
Artizanati familjar
Çdo përpjekje për të ringritur ndërmarrjen e sixhadeve ka shkuar dëm. Siç do të shohim më poshtë pronari dhe faktorë të tjerë nxjerrin plot argumente, por është inkurajues fakti që një numër punëtoresh të sixhadeve e kanë vazhduar punën në kushtet e familjes. Hate Ora është një prej tyre. "Kam punuar 11 vjet në artizanat dhe më dhimbset mjeshtëria që kemi fituar atje, thotë ajo. Asnjë ditë nuk e kam ndërprerë punën e sixhades, e kam vazhduar endjen në shtëpi me një palë vegjë të cilat, fillimisht i bleva nga Bicajt e që më pas i modifikova për shtëpi. Punoj me kërkesa nga farefisi". Dhe shpjegon teknologjinë interesante të ndërtimit të sixhadesë duke folur për dendësinë e nyjave, që varion nga 250 mijë deri 350 mijë nyje/m2 sipas cilësisë dhe teknikës. "Marrim thjesht hakun e punës, sa për mbajtur gjallë familjen", tregon Ora duke nënvizuar se 25 mijë lekë të reja në muaj sot nuk janë shumë për punën e tyre. Në Kukës janë gjithsej nja 30 familje që punojnë sixhade, por që të gjitha punojnë sipas hesapit të tyre pa pasur asnjë organizim për tregun e punës së tyre. Por ka një dritare që mbase do të ndihmojë një numër gjithnjë në rritje punëtorësh. Hata tregon për porosinë që ka marrë nga ish-drejtuesi artistik në artizanat, piktori i njohur, Xhevahir Kolgjini, i cili jeton në Amerikë. Kolgjini, dy herë laureat i çmimit të Republikës, ka drejtuar një dekadë më parë në Tiranë Akademinë e Gobelinit, një teknike e re e sixhades, e krijuar prej tij ku një vepër arti në pikturë realizohet në sixhade. Veprat e tij të paraqitura në një ekspozitë në SHBA kanë tërhequr vëmendjen dhe janë afishuar në internet nga shoqëri potente e tregut atje. "Don zoti ecën mirë kjo lloj teknike e punimit, thotë Hata, duke treguar në vegjë një model, pasi në Evropë ku shiteshin dikur prodhimet tona tregu është mbushur me prodhime siriane, iraniane e plot të tjerë dhe as që bëhet gjë ...".
Po ndërmarrja?
Ndërmarrja e famshme është kjo që shihni në foto. Askujt ndoshta nuk i shkon në mendje që këtu ishin të punësuar dikur 1000 gra të qytetit të Kukësit dhe nja 200 të tjera në një repart në Bicaj. Shteti komunist mburrej me këtë ndërmarrje, pasi jo rrallë çante bllokadën me sixhadet e prodhuara këtu. Nuk kishte rëndësi se ç‘bëhej me shitjet, ato gjendeshin kudo nëpër ambasada të huaja, vende mike të atëhershme, siç quheshin, ndërsa cilësia ishte tepër e kërkuar. Instituti i Lartë i Artit në Tiranë kualifikonte piktorë nga më të talentuarit për Gobelinin. Pronari i kësaj ndërmarrje të heshtur, Islam Mata, tregon se që nga vitit 1993 kur ai e ka privatizuar këtë ndërmarrje është bërë pengesë shteti për ngecjen e punës. Mata përmend qeverinë e asaj kohe dhe pikërisht qeverinë "Meksi", "më ka pengue duke mos më kredituar për të rinovuar teknologjinë dhe këtë e quaj kundërvënie, thotë Mata duke shtuar se në vitet në vazhdim ai nuk ka mundur t‘u bëjë ballë edhe presionit teknologjik të huaj, si dhe grabitjeve që i bënë në vitin 1997. "Kam nisur që herët një proces gjyqësor për dëmet e atij viti, por ende drejtësia duket larg", thotë Mata. Si të mos mjaftonte kjo, ai tregon një përvojë negative me një tregtar nga Peja, i cili i detyrohet rreth 1 milion dollarë, por që nuk ka shenja pozitive se mund t‘i marrë një ditë. "Tani për tani nuk kam asnjë punëtor, po punoj për një projekt për ndryshimin e destinacionit, ndërsa mund të ruaj një repart të vogël për sixhade sa për nja 60 punëtorë, s‘kam ç‘të bëj...", thotë pronari i ndërmarrjes që dikur ishte e famshme për sixhadet në vend e më gjerë.
Në magazinat e kësaj ndërmarrjeje ka ende mjaft lëndë të parë me të cilën, siç pohon Mata, furnizohen punëtorët që ushtrojnë artizanatin në familjet e tyre. Ndërsa mjaft gra në Kukës shprehen se do të punonin me kënaqësi nëse një ditë do të rihapej ndërmarrja që dikur mblidhte ajkën e talenteve qëndistare e sixhadepunuese.
CIKLI
Quo vadis, Shqipëri?
ZERINA DHE "GRUAJA ME SHKARPA"…
Ndue Dedaj
Prezantuesja e njohur, Zerina Kuke, në emisionin e mirëpritur televiziv "Déjà vu" të Mustafa Nanos, teksa kundronte një fotografi ku paraqitej një grua me shkarpa në kurriz, u shpreh me gjuhën e metaforës, se si ajo gruaja e fotografisë ishte dhe ajo vetë, ishte çdo grua tjetër në këtë vend, që mban peshën e rëndë të punëve të lodhshme të shtëpisë e të tjerë, pasi mjedisi shqiptar është një mjedis maskilist etj. Ishte një nga fotografitë më të publikuara (madje deri në shpërdorim), e shkrepur nga kushedi sa reporterë të huaj në vite, ajo e një gruaje malësore ngarkuar me shkarpa, si për të treguar varfërinë e skajshme të këtij populli, dhe në veçanti pozitën e gruas shqiptare, përherë më "barrë në shpinë". Barrën në shpinë nuk ia hoqi as propaganda e Partisë së Punës, në luftën për emancipimin e trumbetuar, pasi ishte vetë kooperativa që e ngarkonte gruan, më pleh kimik e organik për tek arat, me kashtë për te mullarët, me dru për furrën e bukës etj. Apo gruaja që kryente punë të rënda, tornitore, metalurge, traktoriste etj. Por për paradoks "barrën e shpinës" nuk e hoqi as koha e mëvonshme, pasi fshati mbeti serish aty ku kishte qenë, si në legjendën e misrit të Migjenit, pavarësisht ndonjë vile të hijshme në vend të kullës së moçme, me paratë e shenjta të bijve të emigracionit. Kjo është arsyeja pse ajo fotografi është bërë aq e "modës" dhe, në variante të ndryshme, shëtit nëpër ekrane televizionesh dhe faqe gazetash, që ato gra të fisme vazhdojnë të jenë gjuetia e "paparacëve" të huaj dhe vendës që enden maleve. Pa dashur të themi se në fokusin e aparatit fotografik të tyre mund të hyjnë dhe ato gratë arsimtare, që prej dekadash jo vetëm mësojnë breznitë e reja të shkollarëve nëpër malësi, por kanë futur në botën e maleve dhe një tjetër kulturë jetese etj.
Por, gjithsesi, problemi nuk është thjesht fotografia, si imazh viziv i një realiteti të vrazhdët, që të shqetëson. Thelbi është përtej asaj që fotografia shpreh, ku me gjithë kozmetikën e kohërave të sotme, duket se asgjë esenciale nuk ka ndryshuar, në më shumë se një shekull, nga kumti i asaj poezisë proverbiale të Çajupit, për burrat që nën hije (lexo: sot nëpër bingo e kafene) lozin, kuvendojnë/pika që s‘iu bie, se nga gratë rrojnë. Ama, nëse gruaja asokohe ishte ashtu e robëruar, por e mbrojtur nga krimi kundra saj, sot pamja shqiptare është edhe më tronditëse, pasi gruaja është shndërruar në pikën më të dobët të krimit në familje, viktimë e trafiqeve të paligjshme etj. Kemi dëgjuar e lexuar në shtyp për aq e aq histori të dhimbshme të vajzave të trafikuara, deri rrëfime rrëqethëse të tyre, madje dhe romanin "Yjet nuk vishen kështu" të shkrimtares Elvira Dones, kushtuar kësaj teme, ashtu siç kemi përjetuar bashkërisht rastin fatal të vajzës së vrarë në Lurë, vajzës që u vra në Kamzë bashkë me të vëllain për gjakmarrje(!), vajzës së vrarë në Elbasan mes auditorit, të një vajze të vetëvrarë në Fier, apo të vajzës nga Puka që i rrëshqiti këmba nga ngrica dhe u mbyt në lumë, ngase aty mungonte një urë. Kaq shumë vajza dhe gra të vrara, të lënduara, të dhunuara, që na bëjnë me faj si shoqëri, që na bëjnë me turp para vetes dhe botës për krimin ndaj tyre. Më e pakta, për mos-mbrojtjen nga gjithnur kanosjesh dhe krimesh, por dhe nga shfrytëzimi që u bën kapitalizmi, duke i stërmunduar në punë të ndryshme dhe shpesh të papërshtatshme për to dhe duke i paguar pak, pasi ende te ne gjallon mendësia e vjetër që femrën e sheh si shërbyese. Me siguri që Zerina, edhe për këtë pamje e kishte fjalën në "Déjà vu", ani se aty nuk ishte vendi për analiza të hollësishme.
Fotografia e asaj gruas më shkarpa në kurriz, është pikërisht "fotografia" e një shoqërie që nuk di si të sillet me femrën. Është një shuplakë. Është një padi e hapur. Fotografia e qortimit të një qeverisjeje që nuk vete me vrap atje ku mund të ndodhë gjëma e paralajmëruar, para se ajo të ketë ndodhur. E shoqatave të gruas që nuk arrijnë të ndikojnë fort në ndryshimin e kërkuar. Ndërkohë që rasti i Baldushkut para Vitit të Ri ishte mjaft domethënës, pikërisht për qasjen konkrete ndaj njeriut, gruas jo si autore e një krimi, por si nënë e një tufe fëmijësh, si kujdes i drejtpërdrejtë ndaj familjes që ka përjetuar një dramë të fortë sociale, dhe veçanërisht ndaj fëmijëve, që nuk ka përse të ndëshkohen edhe me shpërfilljen e shoqërisë. Ndaj dhe iniciuesja e ndihmës ndaj kësaj familjeje në zgrip dhe në nevojë, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, u pa me admirim për gjestin e saj, pasi më i rëndësishëm se helikopteri që çoi atje ca ndihma dhe lejimi i nënës të vente te fëmijët me rastin e festave, ishte mesazhi se rastet duhen trajtuar një më një dhe jo në "teori" apo në përgjithësi. Sado e vështirë dhe utopike të ngjajë kjo, gjithsesi është e mundur, pasi aktorët që mund të përfshihen në këtë nismë janë disa; komunarë, parlamentarë, qeveritarë, shoqatat, karitasi, policia etj.
Shqipëria është ende në një fazë ku problemet e saj, përpos se në rrafshin e përgjithshëm, duhen prekur me dorë. Si mund të heshtet nga mjedisi social dhe faktorët e ndryshëm, kur një grua, nënë fëmijësh, vritet dhe masakrohet nga i shoqi, kur ajo po vete rrugës për në punë. A mjafton vetëm kapja e vrasësit nga policia dhe seancat gjyqësore në ngarkim të tij? Kështu, rasti do të trajtohet thjesht si një dosje policore dhe nuk do të ndikojë ndjeshëm në përpunimin e opinionit publik, për të mos pasur dhe nesër e pasnesër viktima, si robina të paragjykimit shqiptar mesjetar. Nga ana tjetër, cili organizëm shtetëror apo shoqëror u ndal të analizojë dukurinë e anasjelltë, se pse vitet e fundit po na kthehen edhe gratë në dhunuese e gjer vrasëse në familje. Teksa po shkruanim këto radhë, nga Londra njoftohet se një grua e re 26-vjeçare, nënë e dy fëmijëve, kishte vrarë bashkëshortin, duke e çuar në 20 numrin e vrasjeve ndër shqiptarët e atjeshëm. Çfarë ka ndodhur në psikikën e femrës shqiptare të tranzicionit, që ajo ka mbërritur deri te pushka, që nuk ka qenë asnjëherë zanati i saj?! Nuk bëhet fjalë për një rast të vetëm, por për disa, në qytete dhe në fshatra, ku në burgje kemi një numër të caktuar grash që kanë vrarë.
Megjithatë, ka qenë vërtet një lajm i çmuar, ai që çuditërisht kaloi pa shumë vëmendje, disa ditë më parë, ku policia e kryeqytetit kishte parandaluar një grua, e cila ishte nisur për të vrarë bashkëshortin. Kjo është policia që ti si familjar dhe qytetar beson. Kjo është policia që ti mbështet. Ky është ligji dhe humanizmi i shkrirë në një. Dhe kësaj i duhet dhënë kurajë dhe publicitet. Morali i shëndoshë i një shoqërie, që është e dhënë pas qytetërimit, shfaqet jo duke u gjendur soditëse apo indiferente në ngjarjet e përditshme, por vepruese dhe dinamike në mjedisin ku "ngjarjet" krijohen here pas here, prej shkaqesh tashmë të njohura e të shkoqitura prej sociologëve, analistëve etj. Aq më tepër kur këto prekin kategoritë apo shtresat njerëzore më të rrezikuara, si gratë, fëmijët, pleqtë etj. Kështu, zonja Kuke e të tjera gra të dëgjuara, bëjnë mirë që flasin për çështje të tilla, pasi, siç dëgjon të komentohet pas emisioneve të tilla interesante, ndikojnë ndjeshëm në përpunimin e opinionit publik.