E Diel, 1 Nëntor 2026

FYROM, nën peshën e krizës së identitetit

Teksa kërkuan të gjenin një motiv të kënaqshëm për të shpjeguar vendimin absurd të Maqedonisë mbi ndryshimin e regjimit të vizave për qytetarët shqiptarë që duan të udhëtojnë drejt vendit fqinj, nga politika, mediat dhe opinioni ynë në përgjithësi, u renditën disa arsye, si frika nga Shqipëria e Madhe pas shpalljes së pavarësisë nga ana e Kosovës; përpjekja e lëshimit të një sinjali për kosovarët, të cilët nuk do ta kenë aspak të lehtë jetën në rajon në rast se shkëputen nga Serbia; si veprim që për politikanët maqedonas do të thoshte marrjen automatikisht të hijes së një shteti të përparuar që e meriton më shumë se kushdo tjetër Bashkimin Evropian; dhe sidomos një megalomani naive për t‘u dalluar në sytë e botës nga fqinjët e varfër.

Askush nuk mund të shprehet me siguri se e ka zbuluar arsyen e vërtetë të këtij veprimi. Me shumë gjasa mund të shpjegohet duke i marrë parasysh të gjitha këto arsyetime - edhe të tjera - por duke i këqyrur të gjitha nën një dritë shumë të fortë kompleksi inferioriteti kombëtar dhe krize kolektive identiteti. Kompleks inferioriteti që më së forti vërehet në faktin se jemi përpara një kombi të cilit i vihet në diskutim e drejta për të pasur një emër, një flamur, një identitet të tijin. Grekët nuk kanë as më të voglin dyshim se as shteti nuk mund të quhet Maqedoni dhe as qytetarët maqedonas, duke parë se u shfaqën në trevë jo përpara shekullit të gjashtë dhe se nuk mund të marrin kurrsesi mbi vete madhështinë e asaj popullate që banonte aty deri në atë kohë. Pretendimi grek u shfaq që në vitin 1946, me përcaktimin e Republikës Popullore të Maqedonisë si shtet federal nën Jugosllavinë e Titos, për t‘u ringjallur sërish me gjithë këmbënguljen e mundshme nga shteti helen në çastin kur Maqedonia deklaroi pavarësinë nga federata jugosllave në vitin 1991. Procesi i njohjes së republikës së re nga Komuniteti Evropian dhe përfshirja e saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara pësoi vonesa të forta për shkak të oponencës së fortë greke. Në prillin e një viti më pas, partitë më të rëndësishme greke dolën me një marrëveshje të përbashkët, ku bëhej e qartë se fjala "Maqedoni" nuk duhej përfshirë kurrsesi në emërtimin e ri të republikës. Në polemikë u përfshi edhe diaspora greke, e cila në një faqe të "New York Times" i kërkonte Presidentit Xhorxh Bush (plakut) të "mos hidhte poshtë shqetësimet e popullit grek" duke e njohur "Republikën e Shkupit" si Maqedoni. Pas këtyre trysnive, Komuniteti Evropian deklaroi se do ta njihte republikën brenda kufijve të saj, por me një emër ku nuk përfshihej termi Maqedoni.

Dhe duket se kjo mosmarrëveshje për emrin e shtetit maqedonas, i cili do të shërbente si burim i mjaftueshëm krize identiteti për çdo komb të rruzullit, nuk ka për t‘u zgjidhur ndonjëherë, pavarësisht presionit ndërkombëtar që ushtrohet mbi të dyja palët për t‘i dhënë fund. Përgjatë viteve janë propozuar një seri e gjatë zgjidhjesh, si "Maqedonia e Re", "Maqedonia e Sipërme", "Maqedonia Sllave", "Nova Makedonija". Gjithsesi, për palën greke asnjë zgjidhje që përfshin termin Maqedoni nuk mund të jetë e pranishme. Propozimet greke përfshijnë emra si "Republika e Shkupit" apo "Republika e Vardarit". Së fundmi, grekët duket se do të lëshojnë pe në lejimin e përdorimit të termit Maqedoni, por të shoqëruar nga një term që ta veçojë dukshëm nga Maqedonia e Lashtë.

Dhe duhet thënë se pretendimi helen nuk është i vetmi shkaktar i kompleksit të inferioritetit të fqinjëve tanë sllavë. Vitet e fundit, nacionalistët ekstremistë maqedonas, të cilët kaherë janë përpjekur të vërtetojnë shkencërisht vazhdimësinë mes maqedonasve të lashtë dhe të sotëm, janë përballur me kokëfortësinë e historisë. Dhe lajmi i keq nuk vjen nga historianë e studiues të huaj. Maqedonasit e moderuar (në fakt bëhet fjalë për shtresën intelektuale) të përfaqësuar nga Kiro Gligorov, ish-presidenti i Republikës së Maqedonisë, kanë pranuar zyrtarisht se nuk ekziston kurrfarë vazhdimësie mes maqedonasve të Aleksandrit të Madh dhe maqedonasve të sotëm, por se janë popullsi sllave e vendosur në trevë në shekullin e gjashtë.

Por ekziston edhe një faktor tjetër që ushtron trysni shumë të fortë kur vjen fjala tek identiteti kombëtar maqedonas. Edhe kësaj here bëhet fjalë për një vend fqinj - duket se jemi të vetmit komshinj të përzemërt të Maqedonisë, me përjashtim të serbëve, me të cilët ndan pjesën më të vogël të kufirit - dhe është pikërisht Bullgaria. Fqinji perëndimor qe vërtet i pari që njohu zyrtarisht Republikën e Maqedonisë në vitin 1991, por kjo u shoqërua me debate të menjëhershme lidhur me gjuhën dhe përkatësinë e saj kombëtare. Sipas bullgarëve, as që ekziston një gjuhë dhe identitet kombëtar maqedonas. Nga zyrtarët e lartë bullgarë, në periudha të ndryshme kohore janë lëshuar deklarata të shumta mbi këto tema, mes të cilave duhet veçuar ajo e ish-presidentit Stojanov, që e konsideronte Maqedoninë si "pjesën më romantike të historisë së Bullgarisë" - fjalë që tërbuan maqedonasit dhe dëmtuan rëndë dialogun politik mes dy shteteve.

Në një koment të publikuar në gazetën "Shqip", analisti nga Shkupi, Kim Mehmeti, pasi rendiste problemet financiare dhe njerëzore që do të shoqërojnë këtë veprim të politikës maqedonase, e shpjegon masën absurde me dy fjalë: "marrëzi politike". Ndoshta është edhe përgjigjja më e kënaqshme për këtë dilemë, të cilës opinioni shqiptar nuk po ia del ta shpjegojë apo ta justifikojë. Por duke marrë parasysh dëshirën e lexueshme të politikës maqedonase për t‘u veçuar nga lista e vendeve të "botës së tretë" dhe për t‘u bërë pjesë e vendeve të zhvilluara, ka shumë të ngjarë të jemi përpara një marrëzie politike të shoqëruar nga një krizë e fortë identiteti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›