Përjetësisht djalosharë
Deri tani, askush nuk e ka zbuluar
se cili është sekreti i këtyre
40-vjeçarëve në formë të
shkëlqyer. Mos ndoshta hileja
qëndron te sporti? Më 16 dhjetor të vitit
të kaluar, në stadiumin e Jokahomas, në
të njëjtën fushë ku pesë vjet më parë
Brazili i tij kishte arritur të fitonte titullin
Kampion Bote, një zotëri 31-vjeçar, i
quajtur Ronaldo, i veshur me rroba të
zakonshme kënaqej teksa filmonte me
një telekamera, tamam si një turist japonez,
shokun e skuadrës së tij, Paolo
Maldinin, që edhe pse 39 vjeç e 5 muaj
e 21 ditë, ngrinte lart Kupën Interkontinentale.
Kapiteni i Milanit atë mbrëmje
regjistroi një tjetër rekord të karrierës së
tij legjendare: u bë lojtari më i vjetër që
fitonte atë trofe, që tanimë e quajnë
Botërorin e Klubeve në 47 edicione të tij.
Pakti me djallin i Faustit me mbrojtësin
e jashtëzakonshëm duket se do të përfundojë
në fund të këtij kampionati kur
Maldini, ashtu siç e ka deklaruar do të
tërhiqet në prag të të dyzetave (i mbush
më 26 qershor). Ndoshta kjo do të jetë
edhe periudha që do të mendojë i qetë
triumfet dhe sukseset e jashtëzakonshme
në fanellën kuqezi, që nga 20 janari
i vitit 1985, kur vetëm 16 vjeç do të
shënonte ditën e parë të debutimit të tij
në Serinë A. Heronjtë e sportit janë të
gjithë të rinj dhe të bukur, ose më mirë
mund edhe të jenë të bukur si Maldini,
por sidoqoftë me thinja. Maldini nuk
është i vetmi rast që bën përjashtim.
Shoku i tij i mbrojtjes dhe i sukseseve te
kuqezinjtë, Alesandro Kostakurta, në
majin e kaluar u bë futbollisti më i vjetër
që kishte shënuar një gol në Serinë A në
moshën 41 vjeç e 25 ditë, kur shënoi një
penallti me Udinezen dhe duke thyer
rekordin e Silvio Piolas ( kishte shënuar
në moshën 40 vjeç e gjashtë muaj),
rekord që zgjaste që prej vitit 1954. Amadeo
Karboni, në moshën 39-vjeçare, në
vitin 2004, ishte bërë futbollisti më
vjetër, që me fanellën e Valencias fitonte
kupën Uefa me të cilën nuk do të
largohej nga dielli i ngrohtë i Spanjës
deri në moshën 41 vjeçare. Për të mos
folur pastaj për sir Stenli Methjus, miti i
futbollit anglez, që në 33 vjet karrierë (pa
marrë asnjë karton të verdhë) e luajti
ndeshjen e tij të fundit në Stoke, në
moshën 50 vjeç e pesë ditë. Dino Zoff
edhe sot vazhdon të jetë futbollisti më i
vjetër që ka fituar Kupën e Botës sepse
kur Italia e Bearzotit mundi në finalen e
vitit 1982 në "Bernabeu", Gjermaninë,
portieri italian ishte 40 vjeç e 5 muaj.
Dhe të mendosh se katër vjet më parë të
gjithë mendonin se duhej të dilte në
pension pas golave të pësuar në Botërorin
e vitit 1978 në Argjentinë. Kamerunezi
Roxher Milla, i quajtur ndryshe
"luani i pazbutur", ende sot simbol i
futbollit afrikan, mban të paprekur vendin
e futbollistit më të moshuar që kishte
zbritur në fushë në një Kampionat
Botëror, dhe për më tepër atë të shënimit
të një goli të shënuar në USA 94, kur
ishte 42 vjeç e një muaj. Meqenëse nuk
bëhej fjalë për një portier, është për t‘u
theksuar se në atë klasifikim të veçantë
pas afrikanit janë katër portierë (Xhenings,
Shilton, Zof dhe Bumnjiel). Meqenëse
po flasim për shifra, Marko Balota
është gjyshi i kampionatit aktual të
Serisë A, pasi mban mbi supe 43 vjet. Në
të vërtetë duhej të qëndronte në pankinë,
por edhe në këtë sezon, ashtu si
në atë të kaluarin, për arsye të ndryshme,
Lacio ka pasur nevojë për të.
Por ç‘rëndësi ka, ajo që vlen të theksohet
është se në moshën 43-
vjeçare ai është ende në fushë. Nuk
ka asnjë dyshim që pas pak do të
cilësohet si lojtari më vjetër që ka
luajtur në ndeshje në Champions
League. Dihet se në sport, ashtu si në
jetë, ndryshimet e përgjithshme janë
bërë më të ngadalta dhe përveç rasteve
të veçanta, vitet e një karriere sa kanë
ardhur dhe janë zgjatur. Kështu deri në
vitet ‘70-të pas të 30-ve fillonin të të
konsideronin plak, ndërsa sot ka
sportistë që më të mirën e tyre
e japin përtej këtij kufiri. Por si
është e mundur që pavarësisht
angazhimeve dhe stresit fizik,
është rritur dukshëm numri i
atyre që bëhen gjithmonë e më
shumë rezistentë? Merita, nga
njëra anë, është e shkencës, që ka
bërë progrese të shkëlqyera si në
mënyrat e stërvitjes, ashtu dhe në planin
mjekësor. Dëmtimet që 30 vjet më parë
mund të ndërprisnin një karrierë, sot
mund të shërohen për një muaj. Për më
tepër kanë bërë progres të jashtëzakonshme
edhe mendjet e futbollistëve; fakti
që topi është një industri, ka krijuar
avantazhin e krijimit të një brezi atletësh
të ndërgjegjshëm, të përgjegjshëm dhe
sigurisht profesionistë. Janë ata të parët
që e dinë se duke e administruar me
kujdes "ndërmarrjen" që është edhe
mënyra e tyre për të pasur një jetë të
sa më gjatë që të jetë e mundur dhe ta
shtyjnë sa më shumë ditën e tërheqjes
nga sporti. Por Maldini mbetet një fëmijë
nëse e krahasojmë me Josefa Idemin,
kanoistja prej "çeliku", nënë e dy fëmijëve
që në Lojërat Olimpike që do të
zhvillohen në Pekin në vitin 2008, kur
do të jetë 44 vjeçe, do të synojë të marrë
medaljen e pestë olimpike dhe të 36 në
gjithë karrierën e saj. Thjesht fakti që do
të marrë pjesë është i jashtëzakonshëm
sepse për gjermanen Idem (që tanimë
ka marrë nënshtetësinë italiane) e martuar
me trajnerin Xhuljemo Guerrini, do
të jetë olimpiada e shtatë e pjesëmarrjes.
Ish-policja dhe ish- këshilltarja për
sportin do të barazojë rekordin e pjesëmarrjeve
të fioretistes Kerstin Palm dhe
atletes sllovene me origjinë xhamajkane,
Merlene Ottey, që vetëm pak muaj më
parë, në moshën 47 vjeç e 77 ditë, mori
pjesë në fazën e parë në garën e 100
metrave në Botërorin e Atletikës në
Osaka. Ottey është edhe gruaja më e
vjetër që ka fituar një medalje olimpike
në atletikë (Në Sidney, në vitin 2000, në
moshën 40 vjeç e 143 ditë). Një garë që
duket se nuk do të përfundojë kurrë. Por
stërgjyshi është padyshim Oscar Sëahn,
që fitoi medaljen e argjendtë në Olimpiadë
në Anversa, në vitin 1920, kur ishte
73 vjeç. Ai është edhe konkurrenti më i
moshuar në historinë e një olimpiade.
Në sportet në palestër, ku stërvitjet janë
më pak shkatërruese, mosha e daljes në
pension ka ardhur gjithmonë me vonesë.
Rruga e tërheqjes së Majkëll Xhordan,
basketbollisti më i madh i të gjitha
kohërave, dukej se ishte e pafundme: 2
herë u tërhoq dhe dy herë u kthye sërish,
duke u bërë i pavdekshëm dhe sigurisht
duke u kthyer në një mit. Xhordan tregoi
edhe një herë se një fenomen si ai nuk
kishte vetëm talent, por edhe një formë
të shkëlqyer fizike. Në vitin 2003, kur
kishte vetëm pak kohë që kishte mbushur
40 vjeç, ishte i pari basketbollist
mbi të 40-at që shënoi më shumë se 40
pikë në koshin kundërshtar. Në të njëjtin
vit, braziliani Oskar Shmid, i quajtur
ndryshe edhe "Dora e shenjtë", luajti
deri në moshën 45-vjeçare, duke u bërë
edhe njeriu që ka shënuar më shumë
pikë në historinë e sportit të basketbollit
në botë. Edhe Dino Menegin, ndoshta
akoma edhe sot gjigandi i basketbolli
italian, në moshën 44-vjeçare, pasi kishte
fituar 12 kampionate dhe 7 kupa
kampionësh, luajti në kampionat një
ndeshje kundër djalit të tij në vitin 1994.
Edhe Pierluixhi Marzorati, vitin e kaluar,
hyri në "Guiness", pasi kishte shkelur në
parket në moshën 54-vjeçare, edhe pse
për disa minuta në një garë në kampionat,
duke u bërë kështu edhe lojtari i
parë i këtij sporti që kishte marrë pjesë
në një takim zyrtar në pesë dhjetëvjeçarë.
Lista vazhdon. Antonelo Riva, një tjetër
flamur i basketbollit, shënoi kosha deri
në moshën 42 vjeçare, sigurisht i ndih-
muar nga amtia dhe fiziku i përkryer.
Edhe volejbolli ka kampionët e tij, me
moshë mbi të 40-at. Megjithatë rreziku
kur dëshiron t‘i zgjasësh gjërat më shumë
se ç‘duhet është i dukshëm, publiku
nuk ka mëshirë për moshën dhe dëshiron
të të shohë të shkëlqesh njëlloj sikur
ishte 20 vjeç. Të kuptosh momentin e
duhur për t‘u tërhequr nuk është e
thjeshtë dhe të shumtë kanë qenë ata
që kanë preferuar të bëjnë një hap më
pak se sa një hap më shumë dhe të gabuar.
Pasioni shpjegon gjithçka, është
motori që të shtyn përpara dhe shkon
përtej çdo pritshmërie. Por jo rrallë
ekziston edhe frika që të krijosh papritur
një tjetër jetë dhe ta shtysh sa më shumë
që të jetë e mundur ditën e lamtumirës
së dhimbshme. Për shumë është edhe
arsyeja ekonomike: kur paraja bëhet
motivi kryesor, nuk mund të betohesh
më për faktin se laboratorët e sofistikuar
shkencorë, që kujdesen për këta gjeni,
veprojnë duke respektuar ligjet e natyrës.
Me pak fjalë, në disa raste, hija e
dopingut zgjatet mbi moshën që avancon.
Boksieri Xhorxh Foreman, i datëlindjes
1949, protagonist i sfidës së
jashtëzakonshme të epokës me Muhamed
Aline, u kthye në ring në vitin 1994
,në moshën 45-vjeçare e 9 muaj, duke u
bërë kampioni më i vjetër në botë për
peshat e rënda që fitoi titullin 20 vjet më
vonë. Të kuptuarit se ku përfundon
sporti dhe se ku fillon pensioni nuk është
e lehtë. Lerri Holmes, një tjetër Kampion
Bote në peshat e rënda u tërhoq dhe u
rikthye shumë herë në sport, deri kur
mbushi 53 vjeç. Edhe Xhanfranko Rosi
që luftoi në moshën 49-vjeçare për titullin
interkontinental të peshave të mesme
IBF, kundër francezit Roselia, përfundoi
në spital, për shkak të një
hemorragjie në tru. Julio Cesar është një
tjetër emër që flet shumë sidomos në
basketboll. Sot, në moshën 49 vjeç e
gjysmë, është lojtari më i vjetër i Ligës
Amerikane. Edhe pse nuk ka një skuadër,
duket se nuk mendon ende të tërhiqet.
Madje deklaron se objektivi i tij është të
tregojë se ç‘është në gjendje të bëjë një
50-vjeçar. Thotë se sekreti qëndron në
dietën ushqimore me bazë çaji, peshku,
perime dhe oriz, dhe aspak alkool, kafe,
ëmbëlsira apo pije të gazuara dhe ushqime
me shumë kalori. Të jetë vetëm
meritë e ushqimit? Ndoshta, ku i dihet.
Megjithatë vegjetarianët duhet të ndihen
krenarë që mes tyre kanë edhe tenisten
Martina Novratilova, që në moshën 46-
vjeçare arriti të fitonte një nga turnetë e
"Grande Slam"-it në Australi në vitin
2003. Mes burrave, rekordi mbahet
ende nga Artur Gore, që në vitit 1999
në moshën 41 vjeç e 182 ditë, ishte tenisti
i vetëm që shkeli në turneun e
Uibëlldonit. Koha vërtet ikën, por sot
në fushë ajo duket sikur ndalon. Ose
ndoshta e bën këtë vetëm për kampionët
e mëdhenj.
Dëshira dhe vullneti mbi të gjitha
Rinia kalon shpejt dhe sporti e
tregon këtë më shumë se rrudhat në
fytyrë. Jo nga ajo që duket, por nga ajo
që ndjen brenda vetes. Vërtet që mund
të jesh në moshën më të bukur të jetës,
por pikërisht në këtë kohë, ndërsa
dëshira për të zbritur edhe një herë
në fushë ngelet vetëm e tillë. Nëse ke
dëshirë dhe vullnet mund edhe të stërvitesh,
të hysh me shokët në fushë, por
janë muskujt ata që vendosin se çdo
të ndodhë me ty. Për tifozët e Milanit,
bukuroshi 40-vjeçar është legjenda e
gjallë e kuqezinjve, sepse të shohësh
një mbrojtës që lufton për të markuar
një kundërshtar rreth 15 vjet më të ri se
vetja, nuk të ndodh shpesh.
Paolo Maldini, 39 vjeç, është akoma
në fushë dhe ky është një lajm i
mrekullueshëm për të gjithë ata që e
adhurojnë. Sigurisht që nuk luan në
të gjitha ndeshjet, por në finalen e
Champions Leagueas ishte. Nuk është
Kampion Bote, sepse u largua nga Botërori
i 2002-it, por edhe njëherë ngriti
lart trofeun që kuqezinjtë fituan ndaj
Boka Junioris. Nuk është më 20 apo
30 vjeç, por gjithsesi ka lënë gjurmë të
pashlyeshme më shumë se plot 20-30-
vjeçarë. Tani, gjithmonë e më shumë,
ekziston mundësia për t‘u larguar nga
fusha e futbollit sa më vonë të jetë e
mundur. Kjo sepse sot, në krahasim
me të kaluarën, stërvitesh më mirë dhe
punohet më shumë për të parandaluar
dhe kuruar dëmtimet e ndryshme.
Sot, edhe në moshën 35 vjeç, mund
të flitet për kontrata dhe të ardhme,
pa u trembur aspak se dikush mund
të të quajë "gjysh". Janë pikërisht ata
që kanë një forme fizike të përsosur, si
Pietro Vierchud, që ka luajtur deri në
prag të dyzetave, apo portierë si Ballota
dhe Paljuka, edhe ata 40- vjeçarë,
Oskar Bevi, kapiten i Torinos, edhe ai
në të 40-at, apo Billi Kostakurta që hoqi
dorë pikërisht kur arriti këtë moshë.
Pikërisht duke parë këta dhe të tjerë
shembuj mund të thuash me gojën plot
se shprehja "rini e djegur" nuk përdoret
më. Platini hoqi dorë nga sporti se u
mërzit, edhe Tardeli gjithashtu. Sepse
në një fare pike njeriu lodhet, ndjek
mendimet e veta dhe nuk mendon më
për trajektoren e topit. Në këtë pikë
është e kotë të lodhesh me stërvitje
të tjera. Për shumë si Paolo Maldinin,
ajo trajektore është ende gjithçka. Për
ta ende muskujt nuk janë të lodhur,
thjesht i përgjërohen dëshirës dhe
vullnetit.