Ekspertët: Shkodra e pasur me naftë
Pas bërjes publike nga një kompani shumëkombëshe e quajtur "Gustavson Associates LLC", se nëntoka shqiptare ka një pasuri mjaft të madhe me naftë, mësohet se një nga zonat më të pasura është ajo e Shqipërisë së Veriut. Këtë fakt e bëjnë të ditur specialistë të hidrokarbureve në Shkodër. Sipas tyre, në këtë territor një pjesë të mirë e zë liqeni i Shkodrës. Ata shprehen se zona që mendohet të jetë e pasur me naftë është në pjesën jugore të Liqenit të Shkodrës dhe është klasifikuar nga kompania kërkuese si zona e bllokut A. Kjo pjesë e liqenit të Shkodrës shtrihet në vendin ku ndahet liqeni nga lumi Buna dhe deri te livadhet. Ka një sipërfaqe relativisht të madhe dhe të mjaftueshme për t‘u klasifikuar si një zonë e pasur me naftë. Ekspertët nuk japin më shumë detaje në lidhje me pasurinë e naftës që ka liqeni i Shkodrës, pasi ky është një ekskluzivitet i një kompanie të huaj, e cila ka marrë të drejtën për shfrytëzimin e saj. Por fakti se liqeni i Shkodrës mund të jetë i pasur me naftë, nuk ka kënaqur ambientalistët. Këta të fundit menjëherë pas bërjes publike të lajmit në fjalë kanë shprehur pakënaqësi. Sipas tyre, në rast se do të fillojë të nxirret naftë, atëherë jo vetëm që liqeni nuk të funksionojë më si i tillë, por dhe për qytetin e Shkodrës do të jetë një bombë ekologjike. Kjo në një kohë që Shkodra klasifikohet si një ndër qytetet me ajrin më të pastër për vetë pozitën gjeografike. Liqeni i Shkodrës numëron rreth 850 specie bimore, 600 specie shtazore dhe rreth 281 specie shpendësh, duke u radhitur në një nga zonat më me vlera të ekosistemit.