Fabio Kapelo, në dilemë: Po kërkoj një kapiten
Fabio Kapelo ka pranuar dje se zgjedhja e kapitenit të Anglisë do të ishte vendimi më i rëndësishëm si trajner i kësaj përfaqësueseje. Italiani sapo ka filluar javën e dytë të punës si pasardhësi i Stiv MekKlaren, por do të duhet të mendojë mirë për dy javët e ardhshme, para ndeshjes miqësore me Zvicrën, ku duhet t‘i besojë shiritin një prej lojtarëve në fushë. Për më tepër, ai duhet të zgjedhë nëse do t‘i besojë Devid Bekam, i cili pret të bëhet futbollisti i pestë anglez që arrin kuotën e 100 ndeshjeve me fanellën e përfaqësueses. Kapelo mund të zgjidhë përkohësisht problemin e tij kryesor, nëse grumbullon mesfushorin, duke i besuar edhe shiritin e kapitenit.
Por tekniku italian ka bërë të qartë se dëshiron të shohë të gjithë kandidatët në veprim para se të vendosë përfundimisht për kapitenin e ri. Zgjedhja e Bekam do të mundonte edhe rikthimin në formë të Xhon Territ, i cili është një prej kandidatëve, së bashku me Stiven Xherard, Rio Ferdinand dhe Majkëll Ouen. "Caktimi i kapitenit është një vendim shumë i rëndësishëm. Ka shumë gjëra që duhet të vlerësojë para se të marrë vendimin më të drejtë. Kapiteni duhet të jetë një lider, dikush që tërheq skuadrën, dikush që në çdo moment është i rëndësishëm për ekipin. Jam ende në mëdyshje nëse duhet të zgjedh kapitenin përfundimisht apo të bëj një zgjedhje të përkohshme. Më parë më duhet të njoh të gjithë kandidatët, pasi është një vendim shumë i rëndësishëm", u shpreh dje trajneri italian para mediave. Kapelo nuk dëshiroi të konfirmonte praninë e Bekam në grumbullimin e tij të parë, ndërsa nuk nënkuptoi as për një takim të mundshëm me të vetmin lojtar anglez që ka drejtuar gjatë karrierës së tij si trajner. Megjithëse Bekam po stërvitet në Angli me Arsenalin, duke u munduar të jetë në formë sa më të mirë gjatë periudhës që kampionati amerikan ka pushim, Kapelo mendon se, për të diskutuar gjendjen e mesfushorit, preferon të bisedojë me trajnerin Venger. "Unë jam mësuar të takoj trajnerët. Me lojtarët do të flas vetëm pasi t‘i kem grumbulluar", u shpreh ai. Kapelo vlerësoi Bekam, por u shpreh se nuk do të ndikohej nga fakti që lojtari kishte zhvilluar 99 ndeshje me përfaqësuesen. "Të gjithë trajnerët kanë ndjenja, por atyre u duhet njëkohësisht të marrin edhe vendime. Bekam është i rëndësishëm për Anglinë dhe mund të japë shumë për të, por siç dihet, të gjithë lojtarët janë njëlloj të rëndësishëm për mua dhe janë në të njëjtin pozicion, ashtu si Devid Bekam", u shpreh italiani. Më pas, tekniku i është dedikuar plotësisht kalendarit të ndeshjeve për eliminatoret e Botërorit 2010, objektivit kryesor të përfaqësueses që ai drejton, e cila nuk është kualifikuar në EURO 2008. "Shtatori është muaji më i mirë për futbollistët anglezë, ndaj duke parë se Kroacia është kundërshtari më i fortë në grup, është ideale për ne të luajmë me këtë përfaqësuese në shtator. Ne duhet të mendojmë më parë të kualifikohemi për në fazën finale të turneut. Nuk do të jetë e lehtë, por mendoj se kemi një skuadër me cilësi që mund ta arrijë këtë objektiv. Kam parë gjëra të ndryshme gjatë kësaj periudhe, ndaj mendoj se e kam në mendje skuadrën që dëshiroj. Por më parë duhet të njoh mirë lojtarët, jo vetëm karakteristikat e lojës, por edhe orientimin e tyre në fushën e lojës", tha Kapelo.