Konflikti mes familjeve në Lushnjë, te Krimet e Rënda
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka depozituar në gjykatë dosjen e konfliktit mes dy familjeve në një fshat të Lushnjës, ku veprimi i të pandehurit Solli Lika ka rrezikuar jetën e dhjetëra personave. Sipas kërkesës për gjykim, pas debateve të vazhdueshme për një sipërfaqe toke prej 200 metra katrorë, konflikti midis dy familjeve në fshatin Rrupëz të Lushnjës përfundoi me plagosjen e një personi dhe dëmtime të rënda të banesës së tij. Në banesën e 59-vjeçarit, Sokrat Llupa, janë hedhur dy granatat. Shpërthimi ka ndodhur në mes të fshatit me më shumë se 2000 banorë, që është vetëm 12 kilometra larg nga qyteti i Lushnjës. Nga shpërthimi i një prej granatave është plagosur me disa plagë në këmbë e trup 59-vjeçari Sokrat Llupa, i cili ka marrë mjekime në spitalin e Lushnjës, si dhe ka pësuar dëmtime në xhama dhe dyer banesa e tij njëkatëshe. Nga hetimet rezultoi se 50-vjeçari Solli Lika është autori i hedhjes së dy granatave në banesën e bashkëfshatarit të tij. Shkaku i kësaj ngjarjeje ka qenë konflikti për një pjesë të vogël toke, e cila ishte në kufi të tokave të tyre, e cila ishte kthyer për dy familjet në një "mollë sherri".