E Diel, 1 Nëntor 2026

"Shpërblimet" e nëpunësit të Bujqësisë

Policia e Tiranës në bashkëpunim me prokurorinë kanë arrestuar në flagrancë zyrtarin e Ministrisë së Bujqësisë, duke marrë ryshfet. Murat Shehu, për një periudhë disamujore, ishte nën hetim, pasi ndaj tij ishin depozituar tre kallëzime penale. Disa biznesmenë që importonin kryesisht lule, pemë frutore dhe pemë dekorative pretendonin se kryeinspektori i Përgjithshëm i Entit Shtetëror të Farërave dhe Fidanëve në Ministrinë e Bujqësisë i kërkonte të holla. Sipas kallëzimit, për çdo rrugë që kryenin firmat, Shehu u merrte 200 deri në 500 mijë lekë (të vjetra). "Shpërblimi" ishte kthyer në një rutinë për zyrtarin e Ministrisë së Bujqësisë, i cili, dy ditë më parë ra në "grackën" e ngritur nga hetuesit e çështjes. Këta të fundit, duke bashkëpunuar me biznesmenët që e denoncuan, organizuan operacionin e koduar "START 2008", duke bërë të mundur arrestimin e tij në flagrancë, në momentin që po merrte të hollat. Gjithashtu, hetuesit thanë se për tri ditë me radhë, Shehu, me orgjinë nga Lushnja, është përgjuar dhe vëzhguar nga agjentët e policisë. Koordinimi i veprimeve midis Task-Forcës kundër krimit ekonomiko-financiar në Prokurorinë e Tiranës dhe Policisë solli edhe zbardhjen e marrjes së ryshfetit në Ministrinë e Bujqësisë. Gjithsesi, hetuesit saktësojnë se të dhënat e deritanishme janë prova të dyshuara dhe është pikërisht gjykata ajo që mund t‘i vlerësojë për fajësinë ose jo të arrestuarit. Nga ana tjetër, veprimet e tanishme të grupit të çështjes po përqendrohen në marrjen në pyetje Murat Shehut, si dhe denoncuesve të tij. Kjo, me qëllim që të mblidhen provat për të bindur gjykatën për fajësinë e zyrtarit të Ministrisë së Bujqësisë. Hetuesit e çështjes pohojnë se një fazë tjetër e veprimeve janë edhe bashkëpunëtorët e Shehut. Dyshohet se "fitimet" e aktivitetit që kryente ndaheshin me disa punonjës të tjerë. Prokuroria e Tiranë tha dje se, nëse dyshimi mbështetet në bazën e provave, atëherë priten të tjera fletarresti. Ata thanë se në këtë fazë Shehu akuzohet për "Korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike". Dyshohet se ai në kryerjen e detyrës së tij, funksionale, detyronte biznesmenë të ndryshëm për të dhënë shumën e parave, e cila varionte nga 20.000 deri në 50.000 lekë, kundrejt certifikimit të mallrave të importuara e kryesisht lule, pemë frutore dhe pemë dekorative. Ndërkohë, policia tha se Murat Shehu u kap në flagrancë në ambientet e një lokali në rrugën "Don Bosko", në momentin e marrjes së një shume parash nga një biznesmen, para të cilat u administruan në cilësinë e provës materiale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›