E Diel, 1 Nëntor 2026

Mashtron me firmën e gruas, nën hetim bashkëshorti

Paguan për kryerjen e punimeve të banesës së motrës së vet, por bie preh e mashtrimit nga bashkëshorti i presidentes së firmës së ndërtimit, i cili tashmë do të jetë nën hetim nga policia. Ajet Myzyri, nga qyteti i Beratit, mësohet se ka mashtruar një qytetar duke përfituar një shumë prej 240000 lekësh, pasi ka marrë përsipër kryerjen e një sërë punimesh nga firma e ndërtimit të bashkëshortes së tij, punime të cilat nuk u kryen kurrë. Burime të Komisariatit të policisë Berat pohojnë se nisi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj Ajet Myzyrit, banor i këtij qyteti. Sipas policisë, ndaj tij mësohet të ketë mbërritur një denoncim nga një qytetar, i cili ka paguar shumën e lekëve pas porositjes së punimeve në banesën e motrës së tij. Qytetari Stiliano K., mësohet se pak kohë më parë kishte konstatuar me Myzyrin, i cili në emër të bashkëshortes së tij, Luljeta Myzyri, kishte pranuar kryerjen e punimeve hidraulike në banesën e motrës. Mes tyre mësohet se ishte bërë një kontratë mujore në bazë të së cilës qytetari kish paguar 240000 lekë për punimet që do të kryheshin në banesën e motrës së tij. Por, ndonëse ka kaluar një muaj që nga pagesa e kryer, punimet nuk kanë nisur dhe qytetari ka kërkuar kthimin e shumës së paguar, por dhe kjo gjë mësohet se nuk është pranuar nga Myzyri. Në këto kushte, qytetari ka bërë denoncimin në policinë e Beratit, duke kërkuar zgjidhjen e kësaj çështjeje. Policia tha se pas marrjes në pyetje Myzyri ka pohuar se firma e ndërtimit e bashkëshortes së tij do t‘i kryejë në momentin më të parë, pasi ka pasur dhe kontrata të tjera. Por, 46-vjeçari me gjithë pretendimet e tij do të jetë nën hetim për veprën penale "të mashtrimit".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›