E Diel, 1 Nëntor 2026

Një çati në Shkozë për të pastrehët

Një shtëpi me qira në Shkozë do të japë Bashkia e Tiranës për familjet më në nevojë që s‘kanë një çati. Projekti i strehimit parashikon ndërtimin e 350 banesave në një kompleks në fshatin Shkozë, tek "Al-Mek", në periferi të Tiranës. Ata që do të përfitojnë do të zgjidhen nga lista e gjatë e të pastrehëve të regjistruar, që janë 3500 familje në total.

Pallatet ndërtohen nga një fond prej 5685000 eurosh dhënë nga CEB dhe që zënë 60 për qind të kostos dhe pjesa tjetër 40 për qind do të financohet nga Bashkia e Tiranës. TVSH do të mbulohet nga buxheti i shtetit. Pritet që ndërtimi i kompleksit të nisë në muajin shtator dhe të parët që trajtohen me shtëpi, pra kategoria me më shumë pikë është ajo që nuk përfitoi nga privatizimi i vitit ‘91.

Gerta Manastirlliu, drejtoreshë e Shërbimeve Sociale në bashki, u shpreh për "Shqip" se fituesit do të zgjidhen me sistem pikëzimi, me anë të një softwear-i të posaçëm. Kështu, secilës kategori, si: jetimë, invalidë etj., do t‘i vendoset një numër i caktuar pikësh. Pas mbledhjes së të gjitha kritereve të familjes, ku shënohet numri i personave, të ardhurat etj., del numri i pikëve për secilën nga 3500 familjet e pastreha. Më tej bëhet renditja dhe ato që kanë mbledhur më shumë pikë dhe që janë familjet më në nevojë, renditen të parat. Këta do të jenë 350 përfituesit e shtëpive me qira në Shkozë të Tiranës.

Por, si do të ndërtohen këto apartamente? Kësaj pyetjeje i përgjigjet Manastirlliu. "Objektivi primar i këtij projekti është ndërtimi i 1100 apartamenteve në bashkitë më të mëdha të vendit, për financimin e të cilave qeveria shqiptare ka propozuar marrjen e një huaje shtetërore prej 15 milionë eurosh nga CEB-i (Banka e Këshillit të Evropës). Kostot e tjera të parashikuara do të mbulohen nga bashkëfinancimi i qeverisë qendrore dhe bashkive pjesëmarrëse në projekt", sqaron ajo.

Projekti synon të adresojë problemin e strehimit të familjeve në nevojë për banesë të qytetit të Tiranës dhe pritet të krijojë zgjidhje strehimi nëpërmjet ndërtimit me kredi të disa apartamenteve sociale me qira. Objektivi i Bashkisë së Tiranës është ndërtimi i 350 apartamenteve sociale në periferi të Tiranës, pranë "Fonder - Mek sh.a." në Shkozë. CEB-i do të marrë pjesë në financimin e projektit me një shume prej 5685000 eurosh, duke mbuluar në këtë mënyrë 60% të kostove totale të përshtatshme të tij, ndërsa 40% e kostos totale të projektit do të mbulohet nga Bashkia e Tiranës. TVSH do të mbulohet nga buxheti i shtetit.

Disbursimet e huasë së CEB-it do të bëhen në një llogari të veçantë, që do hapet nga Ministria e Financave në një nga bankat tregtare të vendit. Më pas, njësia e veçantë e zbatimit të projektit në Bashkinë e Tiranës, pra PIU, do të operojë me këtë llogari të veçantë dhe do të jetë përgjegjëse për administrimin e disbursimeve të procedurave me të cilën CEB do të disbursojë fondet e kredisë. Njësia e Zbatimit të Projektit, e cila do të jetë në varësinë direkte të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, do të koordinojë të gjithë informacionin dhe aktivitetet midis Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, si dhe Ministrisë së Financave.

Kjo njësi do të ketë të gjithë përgjegjësinë për koordinimin financiar të projektit, procedurat e prokurimit, kontrollin ose monitorimin e disbursimeve të huasë, si dhe për alokimin buxhetor dhe financiar. Njësia e zbatimit të projektit do të koordinojë dhe monitorojë prokurimet, të cilat do të bëhen sipas çdo marrëveshjeje të nënhuasë që do nënshkruhet mes Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Transporteve nga njëra anë dhe Bashkisë së Tiranës nga ana tjetër.

Përfituesit e banesave sociale do të paguajnë një qira mujore në përputhje me ligjin 9232, me një shumë deri në 4% të kostove të ndërtimit. Kjo shumë mendohet të jetë sa gjysma e vlerës së një shtëpie me qira sot në kryeqytet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›