E Diel, 1 Nëntor 2026

Bush kërkon aleatë për të ndalur Iranin

Presidenti amerikan, Xhorxh Bush, ka mbërritur në të parën vizitë të tij në Arabinë Saudite të hënën, duke shpresuar të bindë aleatët e tij arabë të mbështesin procesin e paqes mes Izraelit e palestinezëve dhe të ndihmojnë të frenojnë Iranin. Duke iu afruar fazës finale të turneut të tij në Lindjen e Mesme, Bush fluturoi nga Dubai drejt Riadit, për bisedime me Mbretin Abdullah, sundimtar i vendit më të pasur të botës arabe me një histori të gjatë lidhjesh të ngushta me SHBA-në. Abdullah përqafoi Bushin, sapo zbriti në aeroport dhe të dy bashkë ecën mbi tapetin e kuq, para rojave të nderit dhe bandës së ushtrisë. Në një lëvizje të përllogaritur që të koincidonte me vizitën e Bushit dhe që ka si qëllim të kënaqë mikpritësit e tij, administrata amerikane pritet të njoftojë formalisht kongresin për një marrëveshje për shitjen e armëve Arabisë Saudite, që vlen disa miliona dollarë, çka do të ndihmonte gjithashtu edhe në një balancim të fuqisë ushtarake në rajon. Bush dëshiron që vendet aleate të Gjirit të ndihmojnë përpjekjet për paqe mes Izraelit dhe palestinezëve e të qëndrojnë në një linjë me Uashingtonin kundër ndikimit në rritje të Iranit, në rajonin e pasur me naftë. Arabia Saudite konsiderohet një lojtar kyç për një pajtim izraelito-palestinez, ndërsa Bushi po shtyn izraelitët dhe palestinezët të arrijnë një marrëveshje paqeje para se ai të lërë detyrën në janar 2009. Por, përpjekja ka ngjallur kritika të rënda. Irani gjithashtu ka qenë pjesë e rëndësishme e bisedës së Presidentit Bush me Mbretin Abdullah. Ndërsa arabët e gjirit ndajnë të njëjtat shqetësime me SHBA-në për ndaljen e hovit të fqinjit të tyre shiit, ata do të donin gjithsesi të evitonin një tjetër luftë shumë pranë kufijve të tyre. "Të gjithë ranë dakord se është një problem i vështirë me të cilin duhet të përballen dhe në këtë pikë po këmbëngulet në rrugën diplomatike", tha Stiven Hadlej, këshilltar për sigurinë i Presidentit Bush. Analistët thonë se ka shenja që tregojnë se aleatët arabë të Amerikës preferojnë të "joshin" Iranin, çka e tregoi edhe ftesa e Arabisë Saudite drejtuar Presidentit Mahmud Ahmadinexhad për të marrë pjesë në pelegrinazhin e Haxhit. Ai ishte i pari President iranian që mori një ftesë zyrtare në pelegrinazhin e përvitshëm mysliman. Ndërkohë, Bush ka paralajmëruar se Irani është një kërcënim në rajon, gjatë këtij udhëtimi të tij në Lindjen e Mesme. Ai madje tha në Abu Dhabi të dielën se Irani ishte sponsori numër një i terrorit. Ndërkohë, të hënën, Irani denoncoi komentet e Bushit, duke i quajtur ato "fjalë pa asnjë vlerë". Udhëtimi i Bushit, pjesërisht ka si qëllim të sheshojë konfuzionin mes aleatëve arabë në lidhje me një raport të zbulimit amerikan, sipas të cilit Irani ndaloi programin e tij të armëve bërthamore në 2003-shin, duke kundërshtuar pohimet e mëparshme të Bushit se Teherani po punonte për ndërtimin e bombës atomike. Duke vizituar rajonin e gjirit, pas bisedimeve në Izrael dhe Bregun Perëndimor, Bush u kërkoi aleatëve arabë të mbështesin diplomatikisht dhe financiarisht liderët palestinezë, të angazhuar në bisedimet e paqes, si edhe të hapen për Izraelin, armik të hershëm të tyre. Bush shënoi një fitore, duke bindur Arabinë Saudite të merrte pjesë në konferencën e Anapolisit, nëntorin e shkuar, që kishte si qëllim rilançimin e bisedimeve të paqes izraelito-palestineze. Por, Arabia Saudite nuk ka lidhje me Izraelin dhe thotë se normalizimi mund të vijë vetëm pas një marrëveshjeje përfundimtare paqeje, që do të kthente të gjithë tokat arabe të pushtuara nga Izraeli në luftën e 1967-ës. Presidenti Bush do të qëndrojë për dy net në Arabinë Saudite, para se të zbresë në Egjipt, të mërkurën, në ndalesën përfundimtare të tij, në këtë turne në Lindjen e Mesme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›