Edhe një herë në kërkim të paqes
Izraeli dhe palestinezët kanë nisur bisedimet e paqes, më seriozet dhe më të rëndësishmet në shtatë vjet, të nxitur nga Presidenti amerikan, Xhorxh Bush, që të arrijnë një marrëveshje brenda një viti, e pavarësisht skepticizmit të madh të publikut. U deshën rreth shtatë javë për të filluar të ashtuquajturat bisedime të statusit final, të iniciuara në konferencën e Anapolisit, në Merilend të Shteteve të Bashkuara, duke nënvizuar kështu vështirësitë me të cilat Bush ndeshet në arritjen e një marrëveshjeje për shtetin palestinez gjatë vitit të fundit të tij në detyrë. Dhe në fakt, negociatat e të hënës pasojnë vizitën e parë presidenciale të Bushit në Izrael dhe Bregun e pushtuar Perëndimor, javën e shkuar, kur ai përcaktoi si qëllim kryesor nënshkrimin e marrëveshjes së paqes gjatë 2008-ës dhe inkurajoi palët të fillojnë bisedimet sa më shpejt. Por është e paqartë se si Kryeministri izraelit, Ehud Olmert, dhe Presidenti palestinez, Mahmoud Abas, të dy të dobësuar politikisht, do të mund të arrijnë një marrëveshje brenda këtij afati të caktuar për të mos folur pastaj për implementimin e saj. Në fakt, Abas e ka tashmë pushtetin të kufizuar vetëm në Bregun Perëndimor, pasi islamikët e Hamasit morën kontrollin e Rripit të Gazës, në qershor. Ndërsa Olmert do të ndeshet me thirrje për dorëheqje, pas një hetimi në lidhje me luftën në Liban, në 2006-ën, raporti përfundimtar i të cilit do të publikohet më 30 janar. Ministrja e Jashtme izraelite, Tzipi Livni, dhe ish-kryeministri palestinez, Ahmed Qurie, janë kryenegociatorët që nisën dje bisedimet dhe që do të përballen me çështje delikate, si kufijtë dhe fati i Jerusalemit e refugjatëve palestinezë. "Ne filluam sot bisedimet për të gjitha çështjet kyçe, Jerusalemin, refugjatët, kufijtë, vendqëndrimet. Ne biseduam për këto çështje në përgjithësi. Bisedimet ishin pozitive, por rruga përpara është e vështirë", tha Qurie pas takimit në një hotel në Jerusalem. Ndërsa ministrja e Jashtme izraelite, tha para takimit se bisedimet do të zhvilloheshin në një atmosferë të qetë, larg kamerave dhe interesit publik. "Vëmendja e mediave për bisedimet e paqes që përfunduan në 2001-shin, bëri që negociatorët të shndërroheshin në figura të mëdha, çka edhe rriti pritshmërinë ndaj tyre dhe çoi më pas në pakënaqësi dhe dhunë", tha Livni. Zyrtarët izraelitë thonë ndërkohë se Livni dhe Qurie, planifikonin të takoheshin rregullisht. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme izraelite, Arjeh Mekel, tha se diskutimet e tyre do të ishin intensive. Ndërkohë, zyrtarët izraelitë thanë se Olmert po kërkonte një marrëveshje që do të hidhte themelet për një shtet palestinez, me implementim të vonuar deri sa palestinezët të garantojnë sigurinë e Izraelit. Abas, ndërkohë, do një marrëveshje përfundimtare të paqes që do t‘i bënte të mundur atij të shpallte shtetin palestinez brenda fundit të këtij viti. Gjithsesi, çështje delikate si Jerusalemi, mund të rezultojnë të pakapërcyeshme.