Celularët, sa do të ulen tarifat
Duket se shqiptarët do të
flasin më lirë për vitin
2008 e në vazhdim, pasi
ERT-ja parashikon ndërhyrjen në
tregun e telefonisë, nisur nga mungesa
e çmimeve konkurruese.
Altin Rrapaj, drejtor i Rregullimit të
Tregut pranë Entit Rregullator u
shpreh se është dërguar për miratim
në Këshillin e Ministrave
metodologjia e re, e cila mundëson
marrjen e vendimit për uljen e tarifave
në të gjitha thirrjet, si celulare
ashtu dhe fikse. "Këto tarifa përfshijnë
thirrjet brenda rrjetit celular,
thirrjet drejt Albtelekomit dhe
atyre ndërkombëtare. Në total
këto tarifa do të reduktohen me 15
për qind në vit minus normën e
inflacionit vjetor të publikuar nga
INSTAT-i (për 2007 ishte 3.1%)". Po
ashtu ERT-ja ka marrë masa që disa
tarifa të shfuqizohen ose të implementohen
në reduktimin e disa
tarifave. "Kjo për faktin se, nëpërmjet
rregullimit të një shporte shërbimesh
dhe jo për shërbime të
veçanta mund të nxisë operatorët
që të tarifojnë në mënyrë strategjike
dhe të ulin thjesht shërbimet brenda
rrjetit dhe të mos reduktojnë
thirrjet jashtë rrjetit. Ndërkaq,
parashikohet, përsëri për thirrjet
jashtë rrjetit, pra drejt celularëve
dhe thirrjeve ndërkombëtare të
reduktohen mesatarisht 20 për
qind në vit minus normën e inflacionit
vjetor", tha dje Rrapaj.
Aktualisht tregu i telefonisë
mobile zotërohet nga dy kompani
celulare, duke krijuar disi një situatë
jo fort në favor të konsumatorëve.
Për drejtuesit e lartë të ERTsë
kjo situatë konsiderohet tepër
shqetësuese, e cila nuk është
përmirësuar me dy ndërhyrjet në
tre vitet e fundit. Për shkak të mosveprimit
të Entit rezulton sipas
statistikave zyrtare (Raporti i 4-të
Observator i SEE (South Eastern
Union) përgatitur nga Cullen International
(30 nëntor 2007), se Shqipëria
në fushën e telefonisë celulare
klasifikohet në vendet me
tarifat më të larta. Nisur nga raporti,
Ministria e Punëve Publike dhe
Telekomunikacionit kërkoi shkarkimin
e drejtuesve të lartë të
ERT-së. Por kryetari i ERT-së, Hydajet
Kopani, në konferencën e
djeshme i hodhi poshtë të gjitha
pretendimet e ministrisë me faktin
se institucioni i tij ka vepruar
mbi hapësirat që i lejonte ligji për
telekomunikacionet. Sipas Kopanit,
ERT-ja ka ndërhyrë në mënyrë
të drejtpërdrejtë në reduktimin e
tarifave të terminimit në rrjetet
celulare, në maj 2004 dhe gusht
2006. Ndërhyrjet kanë sjellë ulje të
tarifave me 43 për qind për celularët,
duke iu afruar tarifës mesatare
të vendeve të BE-së. "Me
gjithë reduktimet e mësipërme të
tarifave, metodologjitë e rregullimit
të tarifave të terminimit dhe përdoruesve
fundorë celulare të depozituara
në MPPTT, imponojnë
reduktime të tjera të ndjeshme të
këtyre tarifave", tha Kopani.
EAGLE MOBILE
Reduktimi i tarifave për këtë vit
me 20 për qind do të vijë si rrjedhojë
e ndërhyrjes së ERT-së. Kjo
nënkupton faktin se me hyrjen në
treg të operatorit të tretë celular
"Eagle Mobile" nuk pritet të sjellë
ulje të shpejtë të tarifave. Njëri nga
anëtarët e komisionit të ERT-së
pohon për gazetën se, "nuk pritet
ndonjë rezultat në uljen e tarifave
celulare, të paktën për një periudhë
disamujore, për të cilën Enti
e ka parashikuar në raportin mbi
"Analizën e Tregut". Sipas kontratës
të shitjes së "Albtelekom",
kompania e tretë celulare duhet të
ofrojë shërbimet brenda muajit
mars 2008.
Vendimi, shkarkohen krerët e ERT-së
Qeveria miratoi dje propozimin e ministrit të Telekomunikacioneve
për shkarkimin nga detyra të kreut të ERTsë,
Hydajet Kopani, dhe tre anëtarëve Anila Kaçupi,
Shyqyri Meka dhe Arjan Sinoimeri, me motivacionin për
mos ushtrim përgjegjësie të ngarkuar me ligj, pa
ndonjë shkak të arsyeshëm. Vendimi erdhi si pasojë e
neglizhencës së rendë të Këshillit Drejtues të Entit
Rregullator gjatë procedurës së miratimit të metodologjisë
së rregullimit të tarifave të organizmave me
fuqi të ndjeshme në treg (OFNT) dhe mungesës së
seriozitetit në ushtrimin e detyrës.