"Shkarkimi, vendim i paligjshëm i KLD"
Konstitucionalisti i njohur, Niazi Jaho, e konsideron të paligjshëm vendimin më të fundit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë për lirimin nga detyra të 14 kryegjyqtarëve. "Mendoj se është e arsyeshme dhe e justifikueshme që personat e emëruar në këto funksione të kenë mandat të kufizuar. Mund të jetë e diskutueshme koha e zgjatjes së këtij mandati. Por çështja, në rastin konkret, nuk shtrohet nëse ata duhet të kenë ose jo mandat të kufizuar, por se ky mandat duhet të parashikohet në ligj dhe jo në vendime të KLD-së", shprehet Jaho, gjatë një interviste për "Shqip".
Para disa ditësh, KLD-ja vendosi lirimin nga detyra të 14 kryetarëve të gjykatave të Apelit e të Rrethit, me arsyetimin se kishin plotësuar mandatin 4-vjeçar të caktuar po nga KLD-ja. Cili është mendimi juaj për këtë vendim?
Para se t‘i jap përgjigje kësaj pyetjeje, e konsideroj të nevojshme të bëj të qartë për lexuesit se KLD-ja është autoriteti shtetëror përgjegjës për mbrojtjen, emërimin, transferimin, shkarkimin, edukimin, vlerësimin moral e profesional, karrierën dhe kontrollin e veprimtarisë së gjyqtarëve të gjykatave të Shkallës së Parë dhe të gjykatave të Apelit (neni 1 i ligjit Nr. 8811, datë 17.5.2001 "Mbi organizimin dhe funksionimin e KLD-së"). Në nenin 2 të ligjit të mësipërm bëhet fjalë për detyrat e KLD-së, ku midis të tjerave përmenden: propozimi që i bëhet Presidentit të Republikës për emërimin e gjyqtarëve të gjykatave të Shkallës së Parë dhe të gjykatave të Apelit, shkarkimin e gjyqtarëve të Shkallës së Parë dhe të gjykatave të Apelit, emërimin dhe shkarkimin e kryetarëve e zëvendëskryetarëve të gjykatave të Shkallës së Parë e të gjykatave të Apelit etj.
Në dispozitat e mësipërme, si dhe në të gjithë ligjin "Mbi organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor" dhe ligji "Mbi organizimin dhe funksionimin e KLD-së" nuk flitet për ndonjë mandat që duhet të kenë kryetarët e gjykatave të Apelit dhe ato të Shkallës së Parë. Në asnjë dispozitë të ligjeve të mësipërme nuk ngarkohet ose nuk autorizohet KLD-ja të caktojë afat, kohë qëndrimi në detyrat që ushtrohen nga kryetarët e gjykatave të Apelit dhe kryetarët e gjykatave të Shkallës së Parë. Sipas njoftimeve të medias së shkruar dhe asaj elektronike, ky fakt pranohet edhe nga zëdhënësit e KLD-së, që kanë deklaruar se vendimi për kufizimin e mandateve të kryetarëve që përmendëm më lart "plotëson boshllëkun aktual të ligjit…". Kjo do të thotë që KLD-ja i njeh vetes të drejtën e plotësimit të ligjit, duke marrë kështu atribute të organit legjislativ. Është kjo arsyeja që mendoj se vendimi i KLD-së është haptazi i kundërligjshëm. Ai është akt administrativ absolutisht i pavlefshëm, sepse është marrë nga një organ jokompetent.
Sipas jush, a duhet që kryetarët e gjykatave të Apelit dhe të rrethit të kenë afat kohor për qëndrimin në këto detyra?
Mendoj se është e arsyeshme dhe e justifikueshme që personat e emëruar në këto funksione të kenë mandat të kufizuar. Mund të jetë e diskutueshme koha e zgjatjes së këtij mandati. Por çështja, në rastin konkret, nuk shtrohet nëse ata duhet të kenë ose jo mandat të kufizuar, por se ky mandat duhet të parashikohet në ligj dhe jo në vendime të KLD-së. Le t‘i referohemi projektligjit "Mbi organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë", që po diskutohet në Kuvend. Sipas nenit 15 të këtij projekti, qëndrimi në detyrë i kryetarëve të gjykatave të Shkallës së Parë dhe të gjykatave të Apelit është parashikuar të jetë gjashtë vjet me të drejtë riemërimi jo të menjëhershme. Nuk e dimë nëse Kuvendi do ta miratojë këtë dispozitë, siç është në projekt, por për rastin që trajtohet, kjo nuk ka dhe aq rëndësi. E rëndësishme është të ritheksohet se KLD-ja nuk ka të drejtë të plotësojë boshllëqe të mundshme në legjislacion. Në këtë rast, rruga e ligjshme do të ishte propozimi ose nisma ligjore për shtesa apo ndryshime në ligj.
Tërheq vëmendjen fakti se pikërisht kur Kuvendi u angazhua seriozisht me shqyrtimin e projektligjit "Mbi organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor", që trajton edhe problemin e afatit kohor të qëndrimit në detyrë të kryetarëve të gjykatave të Apelit dhe të gjykatave të Shkallës së Parë, KLD-ja vuri në zbatim vendimin që përmendëm më lart! Në këtë vështrim, i rekomandueshëm do të ishte kontributi në hartimin e këtij projektligji sa më të plotë e më të saktë dhe jo marrja e vendimit që nuk lë shije të mirë. Është e vërtetë se KLD-ja është qeverisja e gjyqësorit, një nga pushtetet e pavarura, por që veprimtaria e tij mbështetet në Kushtetutë dhe në ligjet në fuqi. Pushtetet, siç dihet, janë të ndara. Ato bashkëpunojnë dhe bashkërendojnë veprimtarinë e tyre duke iu shmangur çdo lloj konflikti kompetencash. Tërheq gjithashtu vëmendjen fakti se KLD-ja vendimet që ka marrë i ka dhënë fuqi prapavepruese, kur dihet se edhe organi ligjbërës vetëm në raste të rralla dhe të jashtëzakonshme diskuton çështjen nëse këtij apo atij ligji apo dispozite të veçantë në kushte të caktuara, mund të jepet ose jo fuqi prapavepruese. Nuk e dimë dhe nuk do të ishte mirë të supozonim se cili do të ishte qëndrimi i Kuvendit lidhur me zbatimin e nenit 15 të projektligjit që parashikon kohën e qëndrimit në detyrë të kryetarëve të gjykatave të Apelit dhe të gjykatave të Shkallës së Parë.
Vendimi i KLD-së u zbatua. Po bëhen përgatitje për zëvendësimin e vendeve vakante. Së shpejti mund të miratohet projektligji "Mbi organizimin e pushtetit gjyqësor", që do të dekretohet nga Presidenti i Republikës. Si do të zgjidhet mospërputhja ose kundërshtitë që mund të ekzistojnë midis ligjit të miratuar dhe vendimit të KLD-së. Do të ishte mirë të pritej miratimi i projektligjit, ndërsa për sa i përket vendimit të KLD-së, siç thashë edhe më lart, për mua ai është i kundërligjshëm.
Ju thoni se vendimi i KLD-së është i kundërligjshëm, por ky vendim pati pasoja: 14 kryetarë gjykatash u larguan nga detyra që kishin. Ju thoni se KLD-ja ushtroi kompetenca që i takonin Kuvendit. Pavarësisht nëse projektligji miratohet ose jo, si mund të veprohet për rivendosjen e ligjit të shkelur?
Shpresoj që me miratimin e ligjit çështja do të marrë rrugëzgjidhje. Por, meqë ju kërkoni sqarime se si mund të veprohej për rivendosjen e ligjit të shkelur, kam mendimin se mund të ndiqeshin rrugët e mëposhtme: Ky apo ai kryetar i kësaj apo asaj gjykate, që ka pretendime ose mendon se vendimi i KLD-së është i kundërligjshëm, mund t‘i drejtohet gjykatës me arsyetimin se si pasojë e zbatimit të këtij vendimi i janë cenuar të drejtat e tij dhe është dëmtuar. Një e pesta e deputetëve, nëse pretendojnë ose mendojnë se KLD-ja nuk ishte kompetente të merrte këtë vendim, mund t‘i drejtohej Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për shqyrtimin e mosmarrëveshjes të kompetencave ndërmjet pushteteve (nenet 131, germa "ç" dhe 134, germa "c" e Kushtetutës).
Në përbërjen e KLD-së, me përjashtim të Presidentit të Republikës, të tjerët janë juristë me përvojë dhe me stazh në fushën e drejtësisë. Vendimet që ai merr janë kolegjiale. Si shpjegohet që, siç thuhet me unanimitet, është marrë vendimi që ju e konsideroni të kundërligjshëm?
Kjo shpjegohet me faktin e njohur dhe të vërtetuar në praktikë se nuk ka person, organ apo institucion, qoftë ky edhe i natyrës kolegjiale, që të mos gabojë. Prandaj, ekziston e drejta e ankimimit dhe mekanizmi i kontrollit. Reagimi, shprehja e lirë e mendimit dhe kritika kontruktive janë më të mira se heshtja dhe konformizmi, elemente këto, që për fat të keq vazhdojnë të ndikojnë negativisht në zbatimin rigoroz të ligjit dhe gjallërimin e mëtejshëm të mendimit juridik.