Gjyqtarët, skema e re e pagave
Komisioni i Ligjeve e ka përfunduar më në fund diskutimin për projektligjin në lidhje me organizimin e pushtetit gjyqësor. Në bazë të këtij projektligji, tashmë gjyqtarët do të trajtohen më mirë financiarisht. Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatos Beja, ka deklaruar dje gjatë një konference për shtyp, se tashmë konsensusi mes pozitës dhe opozitës ka arritur në një fazë finale, duke i servirur sistemit gjyqësor një projektligj të plotë dhe që ndan kompetencat e të drejtat e gjithsecilit. Sipas Bejës, një ndër pikat më të debatueshme, ai i përcaktimit të pagave të gjyqtarëve, ka marrë një zgjidhje të drejtë. Më parë, ka sqaruar ai, pagat e gjyqtarëve kanë qenë të njëjta, pra gjyqtarët e Shkallës së Parë paguheshin të gjithë njëlloj, pavarësisht se kishin vite të ndryshme pune. "Ne, tha kryetari i Komisionit të Ligjeve, kemi bërë një përmirësim të dukshëm të këtij sistemi, i cili ka edhe efekte financiare. Në projektligjin e ri është vendosur që çdo gjyqtar të ketë një pagë, e cila lidhet me përvojën e tij si gjyqtar dhe me aftësitë e tij profesionale". Pas pesë vjetësh punë në Gjykatën e Shkallës së Parë, për çdo vit i rritet 2% rroga, deri në 25 vjet punë. Po, ashtu në Shkallën e Dytë, pas 15 vjetësh punë si gjyqtar i Apelit çdo vit i rritet 2% rroga, deri kur gjyqtari të plotësojë 25 vjet punë. Ndërsa për kryetarët e gjykatave, për të cilët ka pasur një pagë fikse, tashmë do të bëhet një ndryshim edhe për këtë kategori. Kryetari i gjykatës do të marrë rrogën si gjyqtar i gjykatës ku është dhe kjo në bazë të viteve të punës dhe plus kësaj rroge si kryetar i gjykatës, ai do të marrë 10% për drejtimin e institucionit. Pra, kryetarët e gjykatave do të kenë rroga të ndryshme, pasi për këtë do të ndikojë paga që merr si gjyqtar dhe vitet e punës që ka gjithsecili. Ndërsa për kryetarin e Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe për kryetarin e Gjykatës së Apelit të Tiranës, përveç 10% mbi pagën individuale si gjyqtar i asaj gjykate merr edhe 10% të tjera shtesë për kushte të veçanta, me mundësi për të arritur pagat e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, pra pagën e ministrit. Në lidhje me promovimin në karrierë si gjyqtarë, janë fiksuar edhe kriteret sesi një gjyqtar duhet të ecë përpara. Gjyqtari duhet të ketë 7 vjet punë në Shkallën e Parë si gjyqtar, përpara sesa të emërohet në Gjykatën e Apelit. Të mos ketë asnjë masë disiplinore ndaj tij në fuqi. Të jetë vlerësuar shumë mirë për aftësitë e tij profesionale në dy herët e fundit nga KLD-ja. Vlerësimi i aftësive profesionale të çdo gjyqtari bëhet të paktën çdo tre vjet. Vlerësimi i rezultateve në punë për çdo gjyqtar, për efekt të karrierës profesionale përditësohet çdo 6 muaj. Renditja e gjyqtarëve në listën e vlerësimit bëhet sipas kritereve objektive të përcaktuara paraprakisht nga KLD-ja. Përzgjedhja nga KLD-ja ndërmjet gjyqtarëve që konkurrojnë për në Gjykatën e Krimeve të Rënda dhe në Gjykatën e Apelit bëhet sipas një sistemi vlerësimi me pikëzim. Sipas Bejës, projektligji i ri përmirëson funksionimin e pushtetit gjyqësor, forcon pavarësinë e gjyqtarëve dhe mbrojtjen kushtetuese të tyre, ul dukshëm subjektivizmin që bëhet terren për korrupsionin. Në bazë të këtij projektligji, vetëm 10% e numrit të përgjithshëm të gjyqtarëve mund të rekrutohen nga ish-gjyqtarë që nuk kanë mbaruar Shkollën e Magjistraturës.
Kryetarët e gjykatave kanë të drejtë të rikonkurrojnë pas 4 vjetësh
Statusi, KLD nuk do të shkarkojë gjyqtarët
Projektligji i ri për organizimin e pushtetit gjyqësor ka përcaktuar qartë edhe statusin e gjyqtarit. Në ligjin e vjetër thuhej se çdo i ri që ishte kandidat për gjyqtar duhej të priste dekretin e Presidentit për t‘u emëruar në detyrën e tij, dekret i cili mund të zgjasë pa afat. Në projektligjin e ri, Presidentit të Republikës i vihet një afat prej 30 ditësh për të shpallur dekretin e tij në lidhje me emërimin ose jo të një gjyqtari. Për sa i përket delegimit nga një gjykatë në një tjetër me ligjin e mëparshëm ishte 3 muaj, pra KLD-ja kishte të drejtë të çonte në një gjykatë tjetër një gjyqtar sa herë ta shikonte të arsyeshme. Ndërsa tani, me projektligjin e ri, këtë veprim mund ta bëjë vetëm për çështje të caktuara dhe me kërkesë të kryetarit të gjykatës.
Ndëshkimet disiplinore
Në projektligjin e ri janë përcaktuar fare qartë edhe masat disiplinore për çdo gjyqtar, i cili shkel ligjin. Nëse në ligjin e parë masa ndëshkimore ishte e përgjithshme, në projektligjin aktual janë vendosur gjëra dhe masa konkrete. Masa të cilat ndahen në tri klasifikimi, është kategoria e shkeljeve shumë të rënda, kategoria e shkeljeve të rënda dhe kategoria e shkeljeve të lehta. Masat ndëshkimore janë të përcaktuara për secilën kategori në ligj. Pra, nëse gjyqtari kryen një lloj shkeljeje, që në momentin e parë ai e di vetë se cilat janë penalitetet që ka, po ashtu çdo anëtar i KLD-së. Nga ana tjetër, në qoftë se ka të drejtë për ankim vetëm, kur shkarkohet në ligjin e sotëm ka të drejtë të ankohet në Gjykatën e Apelit edhe kur ka një masë ndëshkimore tjetër. Me Kushtetutë lejohet të largohet nga vendi i punës vetën me riorganizimin e gjyqësorit, hiqet transferimi që ka qenë më parë dhe në këtë rast KLD-ja i ofron një vend gjyqtari diku tjetër. Por, nëse nuk ekziston kjo mundësi, ka mundësi t‘i gjejë një vend në administratën e gjyqësorit me rrogën e gjyqtarit dhe me të drejtën që sapo të hapet vendi të kthehet në gjyqësor. Deri atëherë i paguhet paga 100% derisa të kthehet ne gjyqësor, gjithmonë nëse nuk merret me ndonjë aktivitet tjetër privat.
Kryetarët e gjykatave
Gjithashtu, projektligji i ri e ka të përcaktuar fare qartë edhe mënyrën sesi propozohen dhe zgjidhen kryetarët e gjykatave. Më parë, kryetarët e gjykatave i propozonte ministri i Drejtësisë dhe i vendoste KLD-ja. Tani i hiqet ministrit kjo e drejtë dhe zgjedhja do të jetë e hapur, pra me konkurs, ku konkurron gjithsecili që dëshiron të jetë kryetar i një gjykate të caktuar. Është futur mandatin 4-vjeçar i rinovueshëm, d.m.th., secili kur mbaron 4 vjet ka të drejtë të rifutet në konkurrim, ku sipas Bejës është element i rëndësishëm, në mënyrë që të mos mbajë të ngurtësuar drejtimin e gjykatave. Në projektligj është e përcaktuar edhe kompetenca e kryetarit, i cili ndryshe nga deri më sot, në të ardhmen nuk do të merret me gjithçka. Por vetëm me administrimin e gjyqtarëve dhe jo me përgjegjësit dhe rregullimin e administratës, pasi kjo do të jetë kompetencë e kancelarit. Pozicioni i të cilit me këtë projektligj forcohet. Ndërsa shkarkimi i kryetarëve të gjykatave bëhet nga KLD-ja dhe mund të propozojnë 5 anëtarë të KLD-së zv/kryetari i KLD-së, ministri, por vendimin e merr KLD-ja.
Ligji ri
Të drejtat e KLD
Një pjesë e kompetencave të KLD-së janë të përcaktuara në këtë ligj, megjithëse pjesa më e madhe e tyre do të përcaktohet nga diskutimi i projektligji për KLD. KLD-ja do të përcaktojë procedurat e hedhjes së shortit për ndarjen e rasteve në gjyqësor dhe çdo 3 vjet bën abdetimin e gjyqtarëve në bazë të listës me vlerësimet për çdo gjashtë muaj. Në këtë projektligj ka edhe element të ri, siç është shkrirja e gjykatave ushtarake, ngritja e Gjykatës Administrative dhe Presidenti cakton me dekret numrin e gjyqtarëve për çdo gjykatë. Ndërsa në lidhje me inspektimin, Beja ka sqaruar se ai nuk është pjesë e këtij projektligji, pasi ai rregullohet në ligjin për KLD-në dhe ligjin për Ministrinë e Drejtësisë. "Ne, tha Beja, do të ndërhyjmë tek ato dy ligje, të cilat janë duke u diskutuar. Nuk mbaron këtu procesi i reformës në drejtësi me këtë ligj, është një punë që do të vijojë edhe gjatë muajve të ardhshëm", ka theksuar kryetari i komisionit të ligjeve, i cili nuk ka ngurruar t‘u japë përgjigje edhe shoqatave të ndryshme. "Unë e kam të vështirë të flas për ato gjëra që nuk janë në këtë ligj fare, siç është çështja e inspektimit dhe kanë bërë komente pa ditur se çfarë kemi miratuar ne".