E Diel, 1 Nëntor 2026

Reforma zgjedhore, ndërkombëtarët ndërmjetës

Klasa politike shqiptare u është drejtuar sërish ndërkombëtarëve për të zgjidhur debatet e brendshme. Dje, një mision ekspertësh nga OSBE/ODIHR-i kanë marrë përsipër rolin e ndërmjetësit mes partive të mëdha dhe atyre të vogla. Në një takim të veçantë janë pritur dhe dëgjuar pretendimet e dy bashkëkryetarëve të Komisionit për Reformën Zgjedhore. Ilir Rusmali dhe Kastriot Islami kanë shprehur pikëpamjet respektive rreth reformës dhe pikave ku duhet të bazohet. Natyrshëm janë dhënë sqarime lidhur me punën e deritanishme dhe konsensusin e arritur mes PS-së e PD-së për disa nga propozimet kryesore. Pas këtij takimi, përfaqësuesit ndërkombëtarë kanë pritur edhe drejtuesin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. I shoqëruar nga deputeti Ndre Legisi, ai ka diskutuar rreth çështjeve më të debatueshme, ndër të cilat edhe listat e mbyllura. Drejtuesit e partive të vogla të së djathtës në të njëjtën formë kanë paraqitur mendimet e tyre nga mesdita. Në darkë është mbyllur fushata e informimit me krerët e partive të vogla të së majtës, Neritan Ceka e Paskal Milo. Duket se mes protagonistëve është rënë dakord të mos dilet në qëndrime publike. Kjo për t‘i shërbyer sado pak shuarjes së konfliktit dhe deklaratave kontradiktore në media. Në përfundim të këtyre takimeve, pala përfaqësuese e OSBE/ODIHR-it do të jetë në gjendje të japë një vlerësim lidhur me pikat që janë vendosur në qendër të debatit. Partia Socialiste dhe Partia Demokratike duket të kenë arritur konsensus për pesë parimet kryesore të reformës, mes të cilave edhe çështja e listave të mbyllura. Detaj që has dukshëm në kundërshtinë e të vegjëlve që kërkojnë listat e hapura dhe jo në këtë formë që propozon PS-PD. Duket se edhe në këtë rast do të jetë ndërhyrja e ndërkombëtarëve përcaktuesja e qëndrimeve politike në Komisionin Parlamentar të Reformës dhe jashtë tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›