Curri-Dallku stërvitje me fizeoterapistin Bulinger
Përpara se të vendosin rreth të ardhmes së tyre, Debatik Curri dhe Armend Dallku do të udhëtojnë drejt Gjermanisë, ku do të zhvillojnë seanca stërvitore me Akim Bulinger. Edhe pse nuk është e sigurt që fizeoterapisti do të vazhdojë punën në stafin e Kombëtares shqiptare, ai ka vendosur të kujdeset për dy futbollistët kuqezi. Në fakt, udhëtimi ishte parashikuar që prej muajit tetor: Curri do të punonte për të larguar shqetësimin në muskujt e poshtëm të barkut, dëmtim që në këto muajt e fundit nuk e ka lejuar të paraqitet gjithmonë në lartësinë e pretenduar. Ndërkohë, prezenca e Dallkut përbën surprizë, por mbrojtësi i djathtë synon të jetë në formën optimale përpara largimit nga Vorskla. Në merkaton e janarit, 24-vjeçari Debatik Curri pritet të transferohet në radhët e Steauas së Bukureshtit. Për të milituar me klubin e mirënjohur rumun, ai ka hedhur poshtë edhe një ofertë të Shaktjor Donjetskut dhe të trajnerit Luçesku, i cili e donte me çdo kusht në skuadrën e tij. Edhe Dallku është në pritje të transferimit në Premiership te Sanderlend. Transferimi i tij duket çështje orësh, pasi pak kohë më parë lojtari kishte pohuar se marrëveshja ishte arritur dhe mungon vetëm firma. Dy kosovarët pritet të udhëtojnë drejt Gjermanisë më 3 janar dhe pritet të qëndrojnë aty afro 10 ditë. Afro një muaj më parë, me fizeoterapistin Bulinger është stërvitur mbrojtësi Elvin Beqiri, i cili vazhdonte të kishte probleme me kaviljen, pasi kishte thyer këmbën e djathtë. Tashmë shkodrani është në formë optimale dhe në janar do t‘i bashkohet skuadrës së re, Arsenal Kiev.