Sllovenia "debuton" në skenën evropiane
Në 1999-ën, guvernatori i Teksasit, Xhorxh Bush, ngatërroi në publik Slloveninë me Sllovakinë, asokohe të dyja pjesë e një grupi shtetesh të Evropës Lindore, ish-komuniste, që përpiqeshin ethshëm të anëtarësoheshin në Bashkimin Evropian. Që atëherë, Bush është bërë President i Shteteve të Bashkuara, ndërsa Sllovenia i është bashkuar BE-së dhe NATO-s, ka hedhur në qarkullim euron dhe ka hyrë në zonën evropiane, ku tashmë udhëtohet pa pasaporta. Në janar, republika alpine prej dy milionë banorësh, që shtrihet nën Austri dhe në pjesën lindore të Italisë, merr kryesimin e radhës së Bashkimit Evropian. Por, për botën jashtë, vendi mbetet goxha i panjohur. "Sllovenia ka qenë disi e izoluar, si një ishull kontinental në Evropë, për shekuj të tërë dhe disa prej politikanëve duken të kënaqur që vendi të mbetet disi anonim", thotë një diplomat evropian me njohuri të mëdha për rajonin. "Por, Presidenca e BE-së do ta ngrejë profilin e këtij vendi në tregun global politik". Zona rurale e Sllovenisë, e pastër dhe e pasur, shumë tërheqëse për turistët, ngjason më shumë me Zvicrën se sa me Jugosllavinë komuniste, nga e cila vendi u shkëput në 1991-shin pas një lufte të shkurtër me ushtrinë federale të dominuar nga serbët. Sllovenët e konsiderojnë veten njerëz punëtorë, të prospertë dhe perëndimorë. Serbët, kroatët dhe myslimanët boshnjakë të Jugosllavisë i shohin ata si krenarë dhe të mërzitshëm, pa sharmin e relaksuar të sllavëve të tjerë të Ballkanit. Cinikët e quajnë Slloveninë "Austrinë e të varfërve". Pavarësisht sukseseve politike dhe ekonomike të Sllovenisë (është vendi më i pasur i Evropës lindore, me një GDP për frymë shumë afër niveleve të BE-së, 14.800 euro), kritikët nxitojnë të nënvizojnë se imazhi i saj nuk është edhe aq i përsosur. "Suksesi i fundit i Sllovenisë ishte hedhja në përdorim e euro-s janarin e shkuar", thotë një analist politik me qëndrim në Zagreb, Davor Gjenero, që shkruan për gazetat kroate dhe sllovene. "Pas kësaj, ne pamë paaftësinë e administratës së saj në luftën kundër inflacionit, konflikte të turpshme me Presidentin dhe Guvernatorin e Bankës Qendrore, përpjekje për të kontrolluar mediat, privatizim të ngadaltë", thotë Gjenero. Sistemi social me të vërtetë bujar, një treg pune i ngurtë, një nivel i lartë i proteksionizmit dhe kontroll shtetëror i bizneseve, ka bërë që inflacioni të arrinte majat në zonën euro, 5.8 për qind në nëntor. "Shifrat më të fundit, veçanërisht inflacioni, tregojnë se Sllovenia po humbet një pjesë të avantazhit që kishte kundrejt të anëtarësuarve të rinj në BE", thotë analisti politik, Meta Roglik, i të përditshmes "Dnevnik". Liria e mediave dhe të drejtat e njeriut, çështje që asnjëherë nuk u bënë pengesë në fushatën për anëtarësimin e Sllovenisë në BE, gjithashtu kanë dalë në dritë vitin e shkuar. Rreth 600 gazetarë kanë nënshkruar një peticion në tetor, ku akuzohej Kryeministri konservator, Janez Jansha, një gazetar i njohur anti-komunist në ditët e fundit të Jugosllavisë, se po cenonte lirinë e medias dhe po impononte censurën. "Në 2006-ën, kjo qeveri zëvendësoi botuesit e rreth 80 për qind të mediave sllovene nëpërmjet ndikimeve direkte apo indirekte te pronarët. Qeveria ndryshoi ligjet e medias për të marrë më shumë pushtet mbi të", thotë Blaz Zgaga, një prej dy autorëve të peticionit. Vetë Jansha thotë se gazetarët po dëmtojnë imazhin e Sllovenisë jashtë vendit, duke u dhënë më shumë hapësirë çështjeve të rëndomta. Ai përdori të njëjtat fjalë edhe një vit më parë, kur media denoncoi një rast ku një familje rome u dëbua nga shtëpia e saj në qendër të Sllovenisë, pas një përplasjeje me fshatarë të zemëruar, çka bëri që BE-ja të fliste për "sjellje raciste". Gjithashtu, vitin e shkuar, dhjetëra aktivistë të të drejtave të njeriut bënë një udhëtim me autobus drejt Brukselit, duke kërkuar sqarime për faktin përse rreth 18 mijë josllovenë nuk mund të merrnin dokumente sllovene pas pavarësisë. Rreth 4 mijë prej tyre ende nuk kanë një pasaportë. Mosmarrëveshjet e vetë Kryeministrit Jansha me Presidentin majtist, por popullor, Janez Drnovshek, e lanë Slloveninë pa një guvernator të Bankës Qendrore për dy muaj, duke dëmtuar hedhjen e shpejtë dhe të suksesshme të euros në qarkullim. Acarimi i fundit erdhi në nëntor, kur Jansha kërcënoi se do të jepte dorëheqjen pasi një kandidat i mbështetur nga opozita fitoi zgjedhjet presidenciale. Jansha gjithsesi u ringrit përsëri pas një votëbesimi të qeverisë, që sigurisht u fitua prej tij. Ndërkohë, të shtunën e shkuar, Danilo Turk u ul zyrtarisht në karrigen e Presidentit. Marrëdhëniet me fqinjët kanë qenë gjithashtu një problem. Dështimi për arritjen e një marrëveshjeje me Kroacinë, për sa i takon çështjes së kufijve, si edhe mbi një reaktor energjie bërthamore të përbashkët, është bërë madje edhe objekt barsoletash. Për evropianët kuriozë, gjithsesi, Sllovenia piktoreske dhe kryeqyteti i saj, Lubjana, formojnë një panoramë joshëse të jetës në Evropën e re dhe kjo është edhe ajo që zyrtarët e BE-së do të shohin në terren, në vizitat e tyre.