E Diel, 1 Nëntor 2026

Han, zyrtarisht trajner i Shqipërisë

Ari Han, holandezi 59-vjeçar, tashmë mund të cilësohet zyrtarisht si trajneri i përfaqësueses shqiptare. Ish-mesfushori i famshëm i Ajaksit e Holandës, tashmë do të drejtojë nga pankina kuqezinjtë, duke u bërë trajneri i 19-të i Kombëtares shqiptare. Komiteti Ekzekutiv ka miratuar dje menjëherë emrin e teknikut me të cilin ishte arritur akordi parimor që dy ditë më parë, pas bisedimeve që presidenti i FSHF-së, Armand Duka, zhvilloi me të në Vjenë. Për Han është bërë gati një kontratë dyvjeçare, e cila fillon më 1 janar të vitit 2008 dhe përfundon më 31 dhjetor të vitit 2009, ndërsa firma në letër do të hidhet vetëm në ditët e para të janarit, kur ai të vizitojë Shqipërinë si trajneri i ri i Kombëtares. Objektivi i tij kryesor do të jetë të sigurojë vendin e katërt në grupin e eliminatoreve të Botërorit 2010, ku përkrah Shqipërisë bëjnë pjesë Portugalia, Suedia, Danimarka, Hungaria dhe Malta. Në të njëjtën kohë atij i është kërkuar që të vazhdojë procesin e rinovimit të kuqezinjve, të nisur nga paraardhësi i tij, Oto Bariç.

"Ari Han është një emër shumë i madh i futbollit holandez. Të gjithë e njihni dhe i mbani mend golat e shënuar në Botëror. Ai është një trajner i kompletuar, një ish-futbollist mjaft i njohur dhe me mjaft arritje. Për të zgjedhur trajnerin e ardhshëm të Kombëtares, pas të gjitha kandidaturave të paraqitura deri më sot, është ndjekur një rrugë bisedimesh që i kam zhvilluar bashkë me zv/presidentin Bujar Kasmi. Në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv diskutuam të gjitha kandidaturat dhe vendosëm, duke pasur parasysh edhe buxhetin e përcaktuar për këtë sektor. Mund të them se zgjedhja jonë ishte për Ari Han, i cili do të jetë trajneri i Kombëtares shqiptare për këtë edicion", u shpreh pas mbledhjes së djeshme të Ekzekutivit, kreu i FSHF-së, Armand Duka. Ai ka sqaruar edhe disa nga detajet e kontratës, ndërsa ka shtuar se për siguri me të do të nënshkruhet një parakontratë, e cila do t‘i niset menjëherë me e-mail, ndërsa firma në kontratën e tij do të hidhet vetëm në ditët e para të janarit. "Kemi vendosur që përveç rrogës, për trajnerin të përdoren edhe shpërblimet, të cilat do të jenë në bazë të pikëve që do të fitojë ekipi. Në të njëjtën mënyrë do të veprohet edhe për futbollistët e stafin e Kombëtares. Këto shpërblime do të jepen nga një buxhet i paracaktuar në fillimin e vitit nga Asambleja e FSHF-së. Këto ditë do të bëhet edhe përcaktimi i objektivave të përbashkëta, ndërsa do të diskutojmë për grumbullimet e Kombëtares në muajt e parë të vitit. Do t‘i dërgojmë atij menjëherë nëpërmjet e-mailit një parakontratë që do të firmoset nga z. Han, ndërsa kur të vijë në Shqipëri do të hidhet firma në kontratë. Kemi folur me trajnerin në Vjenë dhe e kemi bërë një gjë të tillë edhe pas vendimit të Komitetit Ekzekutiv. Kemi arritur një akord, ndaj nuk mendoj se do të ketë ndryshime", u shpreh Duka para mediave. Sipas burimeve pranë FSHF, është mësuar që kontrata e Han do të jetë 240 mijë euro për këtë edicion në drejtimin e Kombëtares shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›