FSHF refuzon Partizanin: Do të luajë të premten
Epidemia gripale që ka përfshirë skuadrën e Partizanit duket se nuk i ka bindur drejtuesit e FSHF-së për të shtyrë ndeshjen e fundjavës me Flamurtarin. Sektori i garave ka vendosur që të refuzojë kërkesën e bërë nga klubi kryeqytetas për të shtyrë takimin në muajin janar, pasi ka evidentuar se të kuqtë kanë kontingjent të mjaftueshëm për të përballuar ndeshjen e fundit për vitin 2007. Partizani ka bërë të ditur se ka disa futbollistë që janë përfshirë nga gjendja gripale, ndaj mund të mungojnë në sfidën me vlonjatët, e vlefshme për javën e 17-të të Superiores. Shehi, Abilaliaj dhe Dhëmbi kanë vazhduar të mos stërviten me skuadrën për shkak të gjendjes jo optimale shëndetësore, ndaj pjesëmarrja e tyre në këtë ndeshje është në dyshim. Por duket se ajo që shqetëson më shumë në kampin e Partizanit është situata e rrogave të prapambetura. Të kuqtë nuk kanë marrë ende shpërblimet financiare për dy muajt e fundit, ndërsa nga klubi është bërë e ditur se ato do të jepen në ditët e fundit të vitit 2007. Situata e tensionuar ka bërë që në skuadër të lindin pakënaqësi dhe mendohet që një pjesë e problemeve të fundit në ekip të kenë lindur pikërisht nga mosshlyerja e detyrimeve financiare nga drejtuesit e Partizanit. Pas barazimit me Teutën, u fol që kjo ishte një shenjë hakmarrjeje nga ana e skuadrës ndaj drejtuesve, por nëse një gjë e tillë përsëritet edhe ndaj Flamurtarit, atëherë skuadra do ta shihte veten krejtësisht jashtë objektivave sezonale, që janë fitorja e titullit dhe kupës.