E Diel, 1 Nëntor 2026

Momenti i artë i Arjan Beqajt, lojtari më i mirë i Anorthosis

Arjan Beqaj vazhdon të konfirmohet si një prej futbollistëve më të mirë shqiptarë. Gjatë këtij sezoni, 32-vjeçari po paraqitet në mënyrë të shkëlqyer në radhët e qipriotëve Anorthosis Famagusta dhe kryeson në një sondazh të organizuar në sajtin zyrtar të klubit, për të zgjedhur lojtarin më të mirë të skuadrës. Momentalisht, portieri shqiptar ka marrë 31,25 për qind të votave dhe ndiqet në distancë nga qendërmbrojtësi grek, Nikos Katsavakis, me 18,75 për qind. Pavarësisht këtij vlerësimi personal, Beqaj përqendrohet më shumë të skuadra, e cila kryeson kampionatin dhe është pretendentja kryesore për fitimin e titullit. "Për momentin po mendoj vetëm për kampionatin. Për mua është e rëndësishme të ruaj formën aktuale sa më gjatë që të mundem. Do të lumturohesha vetëm në fund të sezonit, nëse fitojmë titullin kampion dhe nëse shpallem lojtari më i miri i ekipit. Do të ishte gëzim i dyfishtë", deklaroi "gardiani". Anorthosis kryeson kampionatin me 34 pikë (10 fitore dhe 4 barazime) dhe rol kryesor në këtë arritje ka padyshim Beqaj: portieri kosovar ka pësuar vetëm 8 gola në 14 ndeshje. Ai shpreson që skuadra të vazhdojë në të njëjtin ritëm: "Pas 6 ndeshjesh do të fillojnë sfidat e ‘play-off‘. Do të jetë kampionat i vështirë për ne. Kemi pasur një pjesë të parë të mirë të sezonit, por e kemi kaluar vetëm gjysmën e rrugës, theksoi Beqaj, i diplomuar për veterinari. Duhet të vazhdojmë në këtë drejtim dhe të luajmë kështu si kemi bërë deri më tani për të arritur te titulli". Kampionati qipriot do të rifillojë më 5 janar, ku përballë Anorthosis do të jetë kampionia në fuqi, APOEL Nikosia. Kjo sfidë merr edhe më shumë vlera për portierin, që do të gjejë si kundërshtar Altin Haxhin, i cili para disa ditësh u transferua te ky klub. "Kjo do të jetë një ndër ndeshjet tona më të rëndësishme. Do të luajmë në fushën e APOEL, që duhet thënë se është skuadër shumë e mirë. Do të jetë vërtet e vështirë. Haxhi ka një javë që ka ardhur te APOEL: shpresoj të fitojmë ne, e më pas, me të përfunduar ndeshja do të flas me Haxhin". Kontrata e Beqaj me kryesuesit e kampionatit skadon në qershor 2008, por gjasat janë që kosovari të vazhdojë të luajë për këtë klub. "Që prej javës së kaluar kemi filluar bisedimet për vazhdimin e kontratës. Ende nuk ka asgjë konkrete, por jemi afër arritjes së marrëveshjes. Besoj se do të qëndroj tek Anorthosis", përfundoi portieri, për të cilin gjatë verës është interesuar edhe Olimpik Marseja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›