E Diel, 1 Nëntor 2026

Edhe Ronaldo, drejt Brazilit!

Ronaldo është shumë pranë rikthimit në vendlindje, jo më vetëm për pushime, por për t‘u aktivizuar në kampionatin brazilian. Drejtuesit e Flamengos kanë bërë të ditur se kanë filluar bisedimet me futbollistin në fjalë, pasi kanë rënë dakord parimisht me Milanin për huazimin e tij deri në fund të këtij sezoni. Ndonëse kuqezinjtë kishin shprehur hapur pakënaqësinë e tyre për problemet e vazhdueshme të Ronaldos, hipoteza e huazimit të tij në kampionatin brazilian nuk kishte dalë në skenë. Por ka mjaftuar vizita e sulmuesit në vendlindje për festat e fundvitit që shumë klube të interesoheshin për të, me Flamengon që ka bërë hapin e parë.

"Objektivi ynë është të sjellim Ronaldon te Flamengo. Bisedimet janë ende në fillimin e tyre, por kemi marrë që tani autorizimin e Milanit për të folur me futbollistin". Këto ishin fjalët e zv/presidentit të Flamengos, Kleber Leite, i cili ka përshkruar situatën për mediat braziliane. Duket se klubi në fjalë ka dashur të shfrytëzojë në maksimum dëshirën e Ronaldos për të qenë protagonist në qytetin e tij të lindjes, Rio De Zhaneiro, me një skuadër që mund të synojë shumë objektiva, pasi do të luajë në Kupën Libertadores. Tani për tani nuk flitet për shifra, pasi dihet që më parë lojtari duhet të jetë parimisht dakord për huazimin, por mendohet se Flamengo do të paguajë vetëm një pjesë të rrogës "faraonike" të sulmuesit. Vetë Ronaldo është shprehur se do të dëshironte të mbyllte karrierën në Brazil, por kjo mendohej të ndodhte pas dy-tre sezonesh. Huazimi i tij te Flamengo do të bënte të vështirë rikthimin te Milani, pasi kuqezinjtë janë vënë menjëherë në kërkim të një sulmuesi tjetër. Për këtë arsye, menaxherët e tij, janë vënë në kërkim të një zgjidhjeje tjetër, mundësisht të një klubi në Evropë, i cili është i gatshëm të pranojë Ronaldon për gjashtë muajt e ardhshëm para se të vendosë përfundimisht për ta blerë apo jo. Meqenëse Milani duket se ka hequr dorë plotësisht nga braziliani, ata dëshirojnë të gjejnë një sistemim që në janar për Ronaldon, e për këtë arsye kanë pranuar që të ulen të diskutojnë edhe ofertën e Flamengos, në rast se nuk arrihet marrëveshja me një klub evropian. Takimi mes palëve do të bëhet para fundit të këtij viti, për të njohur sa më parë rrugën që do të ndiqet. Flamengo duket e sigurtë se brenda 6 muajsh do të "shërojë" përfundimisht Ronaldon. Ajo e ka bërë një gjë të tillë edhe në të kaluarën me Ibson, ndërsa po riaftëson Xhonatas dhe Kleberson, pas problemeve që këta të fundit kanë pasur me klubet e tyre respektive, Espanjol dhe Mançester Junajtid. Për të bërë një gjë të tillë, ata i kanë afruar Ronaldos edhe asistencën e mjekut të përfaqësueses braziliane, Hoze Luiz Runko, i cili pak ditë më parë u shpreh se ishte në gjendje të riaftësonte sulmuesin brenda pak javësh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›