Dan Hutra në gjykatë: E vrava gruan pa vetëdije
Me një pamje të qetë, por disi të përhumbur, ai ka deklaruar se e kishte vrarë gruan e tij pa vetëdije. Dan Hutra është sjellë dje në Gjykatën e Faktit në kryeqytet për shqyrtimin e masës së sigurisë ndaj tij. 25-vjeçari, i cili 10 ditë më parë vrau me thikë bashkëshorten e tij, është përpjekur të shfajësohet me gjendjen e tij mendore në momentin e kryerjes së krimit makabër. Por, fjalët e tij nuk duket se kanë ndikuar shumë te gjyqtari i gatshëm. Pasi ka dëgjuar edhe argumentet e prokurorit të çështjes, gjyqtari ka vendosur masën e sigurisë burg pa afat për Hutrën. Martesa 8-mujore midis të pandehurit dhe gruas së tij 22-vjeçare është mbyllur në mënyrë tragjike, ditën kur Dani, i kthyer nga emigracioni në Greqi, i turbulluar mendërisht nga xhelozia, ka rrëmbyer thikën duke e qëlluar Dafinën për vdekje. Sipas dëshmive të familjarëve, martesa e tyre, për më tepër e bërë me mblesëri, nuk kishte qenë për asnjë moment e lumtur, por pakkush kishte menduar se ajo do të mbyllej kështu, në këtë mënyrë tragjike.