Zyrtarët e Kasharit mbeten në burg
Gjykata e Apelit në Tiranë ka vendosur dje që të lërë në burg pa afat të gjithë zyrtarët e Komunës Kashar dhe personat e tjerë që u arrestuan të akuzuar se kishin lidhje me ta. Gjatë shqyrtimit të masave, avokatët e të pandehurve kanë kërkuar masa më të buta sigurie për klientët e tyre, duke i argumentuar ato me parrezikshmërinë e klientëve të tyre dhe mungesën e provave nga ana e prokurorisë. Por, pasi ka dëgjuar edhe argumentet e dhëna nga prokurori i çështjes, trupi gjykues ka vendosur që të mos ua ndryshojë masat e sigurisë të pandehurve, duke i lënë ata në qeli deri në përfundim të procesit hetimor dhe atij gjyqësor. Tetë persona, ndër të cilët kryetari aktual dhe dy ish-kryekomunarë të Kasharit kanë përfunduar në prangat e policisë nën akuzën e korrupsionit dhe abuzimeve me pronat në këtë zonë. Operacioni për kapjen e tyre, i cili ishte koduar "Kashari II", u realizua pas dy muajsh hetime nga Task-Force.