E Diel, 1 Nëntor 2026

Minarolli-Dishnica, secili variantin e tij

Dy variante krejt të ndryshme për incidentin midis dy përfaqësuesve të lartë diplomatikë të Shqipërisë në Greqi janë dëgjuar dje në Gjykatën e Shkallës së Parë në kryeqytet. Në procesin në ngarkim të ish-konsullit shqiptar, Faik Dishnica, i cili është akuzuar për veprën penale të "goditjes për shkak të detyrës", të parashikuar nga neni 237 i Kodit Penal, ka dëshmuar dje ambasadori shqiptar në Athinë Vili Minarolli. Ky i fundit, në fjalën e tij, ka pretenduar se ka qenë viktimë e dhunës së Dishnicës. Minarolli ka deklaruar se ditën e ngjarjes, në fillim të muajit qershor të këtij viti, Dishnica, që në atë kohë mbante detyrën e konsullit, i kishte shkuar në zyrë për të firmosur lejen e zakonshme. Por, sipas ambasadorit, pasi ai ia kishte refuzuar firmosjen e lejes, Dishnica ishte acaruar, duke e qëlluar me grusht. Për këtë arsye, Minarolli kishte bërë denoncimin përkatës, mbi bazën e të cilit ka nisur edhe procedimi penal. Por, nga ana e tij, vetë Dishnica ka dhënë një tjetër version diametralisht të kundërt me ambasadorin. Ai ka thënë se jo vetëm që nuk e ka goditur me grusht Minarollin, por ka qenë ky i fundit që e ka qëlluar Dishnicën me pëllëmbë. E vetmja gjë që është e përbashkët në dëshminë e të dy diplomatëve ka qenë fakti se shkak i përplasjes ka qenë caktimi i lejes së zakonshme të Dishnicës. Në fillim të muajit qershor, lajmi i përplasjes që kishte arritur deri në konfrontim fizik midis dy prej përfaqësuesve më të lartë të diplomacisë shqiptare në Athinë, bëri mjaft bujë në opinionin publik shqiptar. Pas denoncimit të ambasadorit Minarolli, prokuroria e Tiranës nisi menjëherë hetimet dhe madje hapi edhe çështjen penale ndaj konsullit Faik Dishnica. Tashmë është radha e gjykatës që të japë verdiktin e saj lidhur me konflikt në dukje banal, por që përfundoi me grushte dhe shpulla.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›