Pranga punonjësit të gjendjes civile, 4 mijë banorë pa certifikata
Shkodër- Prej tre javësh komuna e Kelmendit nuk mund të kryejë asnjë veprim të gjendjes civile. Personi i cili kryente këtë shërbim, Mark Kapaj është ndaluar nga policia me akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Por, situata e krijuar po mban peng banorët, për mbarimin e problemeve të tyre në zyrat e gjendjes civile. Kryetari i komunës së Kelmendit, Ndue Lelçaj shprehet se ky problem është kthyer në një shqetësim për 4000 banorët e kësaj komune, të cilët nuk mund të pajisen me certifikata, apo të kyrejnë veprime të ndryshme që i mbulon kjo zyrë.
Sipas kryekomunarit, familja e personit të ndaluar nga policia nuk pranon të dorëzojë vulën dhe çelësin e zyrës me pretendimin se akoma nuk ka vendosur gjykata për fajësinë ose jo të njeriut të tyre.
Ndërkaq, mjaft banorë që kanë aplikuar për marrje vize në ambasada e zyra konsullore u është djegur afati i caktuar pasi nuk kanë mundur të marrin certifikatat e duhura. Po kështu, sipas Lelçajt, moskyrerja e veprimeve nga kjo zyrë ka sjellë probleme dhe për ata që duan të pajisen me pasaportë për jashtë vendit, për nevoja shtëndetësore etj.
“Kemi vënë në dijeni minstrinë e Brendshme dhe presin një zgjidhje të problemit, pasi komuna nuk ka fuqi ligjore të hapë me force zyrën e gjendjes civile, apo të detyrojë familjen e Mark Kapajt të dorëzojë vulën”- thotë ai.