E Diel, 1 Nëntor 2026

De Jong-Ari Han, stafetë vëzhgimesh

Vetëm një muaj pasi ka marrë detyrën e trajnerit të kombëtares shqiptare, Ari Han dhe bashkëpunëtori i tij më i afërt, Teodorus De Jong kanë filluar punën me intensitet. Pas "zborit" 10-ditor në Antalia, drejtuesi i stolit kuqezi pritet të mbërrijë në Shqipëri në datën 16 shkurt, ku do të ndjekë nga afër disa ndeshje të Kategorisë Superiore dhe lojtarët që janë kandidatë për përfaqësuesen. Ndërkohë, zv/trajneri De Jong, dje është kthyer në Tiranë nga La Valeta, ku kishte udhëtuar pak ditë më parë për të "spiunuar" Maltën, skuadër që ndodhet në grupin eliminator të Shqipërisë për Botërorin 2010. Kundërshtarët organizuan në vendin e tyre një turne miqësor, ku morën pjesë Islanda, Armenia dhe Bjellorusia. Ndeshja që ka vëzhguar krahu i djathtë i Han ka qenë pikërisht ajo kundër bjellorusëve (skuadër që ishte kundërshtare e kuqezinjve në eliminatoret e Euro 2008), ku Malta ka humbur 1-0. Pasi ka zbatuar detyrën e dhënë nga Han, për t‘u informuar me saktësi mbi kundërshtarin modest, De Jong do të vëzhgojë edhe ndeshjet e kampionatit në fundjavë dhe më 11 shkurt do të largohet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›