E Diel, 1 Nëntor 2026

Roma, në gjurmët e mesfushorit Lorik Cana

Roma është vendosur në gjurmët e Lorik Canës. Mesfushori cilësohet si përforcimi ideal i mesit të fushës për nënkampionët e Serisë A, që janë të gatshëm ta blejnë shqiptarin që prej merkatos së verës. Lajmi është publikuar në gazetën e kryeqytetit, "Il Romanista", e cila ndjek nga afër të gjitha zhvillimet rreth klubit verdhekuq. Sipas saj, drejtuesit e Romës pritet të bëjnë një ofertë për Canën që prej muajit qershor. Pengesa e vetme që duhet kaluar është presidenti i Olimpik Marsejës, Pape Diuf, i cili duket se nuk ka ndërmend të lejojë kapitenin e skuadrës, pasi synon që të ndërtojë një skuadër me nivel në të ardhmen.

Sezonin e ardhshëm, numri i lojtarëve shqiptarë që militojnë në elitën e futbollit italian mund të rritet edhe më shumë. Pas Erjon Bogdanit e Igli Tares (sa për të cituar disa ambasadorët e sportit më popullor në vend përtej Adriatikut), edhe një prej lojtarëve më të spikatur të përfaqësueses kuqezi pritet të luajë në Serinë A. Bëhet fjalë për mesfushorin Lorik Cana, që në dy sezonet e fundit ka treguar se tashmë është i pjekur për të luajtur në një klub të madh. Sipas të përditshmes italiane, "Il Romanista", gazetës së kryeqytetit italian, që pasqyron me hollësi gjithçka ndodh në klubin verdhekuq, shqiptari është shndërruar në objektivin kryesor të Romës, për merkaton e verës. Përfaqësuesit e këtij klubit e kanë ndjekur lojtarin në aksion, gjatë ndeshjes me Monakonë, e vlefshme për Kupën e Francës dhe janë bindur për potencialin e tij. Trajneri Luçiano Spaleti kërkon me ngulm një lojtar me peshë për mesin e fushës, i cili do të ndihmonte mbrojtjen në fazën difensive dhe Cana u përshtatet më së miri këtyre karakteristikave. Kjo është arsyeja përse drejtuesit e Romës kanë menduar që të bëjnë një ofertë konkrete për 24-vjeçarin që prej merkatos së verës. "Roma synon të përforcojë mesin e fushës dhe për këtë po ndjek me vëmendje kapitenin e Olimpik Marsejës, Lorik Cana", bënte të ditur "Il Romanista". "Përfaqësuesit e klubit e kanë ndjekur nga afër mesfushorin shqiptar në takimin kundër Monakosë. Pritet që drejtuesit verdhekuq të bëjnë një ofertë zyrtare për Canën që prej muajit qershor". Megjithatë, sipas mediave franceze, edhe pse bëhet fjalë për një klub të madh, negociatat pritet të jenë të vështira. Pavarësisht ofertës, pengesë mund të bëhet presidenti i Olimpikut të Marsejës, Pape Diuf. "Football.fr" citonte: "Presidenti Pape Diuf synon të mbajë kapitenin e skuadrës, sepse kërkon të ndërtojë një grup afatgjatë. Mes të tjerave, edhe vetë Cana nuk e ka fshehur dashurinë për fanellën marsejeze".

Verdhekuqtë

Roma, një histori me shqiptarët

Lorik Cana nuk është futbollisti i parë me origjinë shqiptare, që përflitet për t‘u bërë pjesë e kontingjentit të Romës. Në këto dy sezonet e fundit, në orbitën e verdhekuqve ka qenë edhe sulmuesi, Erjon Bogdani, emri i të cilit është lakuar në disa raste si përforcim për sulmin. Edhe të shtunën e kaluar, trajneri Spaleti ka kërkuar afrimin e një sulmuesi me peshë (përsëri është përdorur emri i Bogdanit për karakteristikat që kërkohen), por piaca është rritur: synimi është Fred i Lionit. Në periudhën 1939-‘47, me fanellën e Romës ka luajtur edhe mesfushori i krahut, Naim Kryeziu, i cili ka fituar edhe titullin kampion në sezonin 1941-‘42. Në vitin 1964-‘65, Kryeziu u bë edhe trajner i Romës, ndërsa më pas u bë zbulues talentesh, ku inkuadroi Xhuzepe Xhaninin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›