E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhani "bllokon" Enco Malindin

Presidenti i Partizanit, Albert Xhani, nuk do të lejojë largimin e sulmuesit të kombëtares Shpresa, Enco Malindi. Futbollisti vazhdon të jetë në provë te Slavia e Sofjes, ndërkohë që drejtuesit e klubit bullgar e kanë pëlqyer lojën e tij, duke kërkuar që ta mbajnë në skuadër. Presidenti i klubit, Venislav Stefanov, ka pohuar se ka mbetur i kënaqur nga loja e shqiptarit dhe se klubi i tij do të vazhdonte bisedimet me numrin 1 të Partizanit, për të gjetur akordin e transferimit. Megjithatë, Xhani ka prerë shkurt çdo tentativë për të biseduar, duke deklaruar se nuk do të lejojë largimin e Malindit. "Malindi është lojtar i Partizanit dhe i tillë do të mbetet", tha presidenti i të kuqve. "Ai nuk do të largohet tek asnjë skuadër tjetër, pasi i nevojitet klubit të tij. Nuk kam ndërmend t‘ia jap letrat edhe sikur të më paguajnë 200 mijë euro".

Momentalisht, Partizani renditet në vendin e dytë në Kategorinë Superiore dhe Malindi ka qenë një alternativë mjaft e vlefshme për trajnerin Hasan Lika për repartin sulmues. Megjithatë, kjo nuk duket se është ngërçi kryesor, pasi shkak i "konfliktit" është bërë shuma e ofruar për kartonin e lojtarit. Marrëveshja është prishur që në fillimet e provës që Malindi ka zhvilluar me ekipin bullgar, që vazhdon fazën përgatitore në Antalia të Turqisë. Slavia ofronte vetëm 50 mijë euro për kartonin e sulmuesit dhe mundësinë për të kaluar para në arkat e Partizanit nëse në të ardhmen do ta shiste lojtarin. Ndërsa presidenti Xhani pretendonte 250 mijë euro dhe është shprehur se nuk kishte ndërmend ta ulte kërkesën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›