E Diel, 1 Nëntor 2026

"Goditja" e Besës, vjen Artim Shaqiri

Në tentativat për t‘u rikthyer sërish si pretendente, Besa ka afruar sulmuesin Artim Shaqiri. Shqiptari nga Maqedonia, i cili është një prej lojtarëve me karrierën më të pasur ndërkombëtare në vendin fqinj është federuar dhe pritet të zbresë në fushë që prej minutës së parë në sfidën e së shtunës me Partizanin. "Artim Shaqiri është lojtar i Besës", kanë pohuar burime pranë skuadrës kavajase. "Sulmuesi është federuar dhe të shtunën pritet të luajë rregullisht në sfidën ku verdhezinjtë do të ndeshen me Partizanin në Tiranë". Kjo është një "goditje" vërtet e madhe e skuadrës së drejtuar nga Sulejman Starova në merkaton e janarit, e megjithëse nuk ka asgjë zyrtare mendohet se Shaqiri ka firmosur kontratë deri në fund të sezonit me opsionin për të rinovuar. Gjatë janarit, 34-vjeçari ka qenë objekt dëshirash për Elbasanin, që mendonte se më në fund kishte arritur ta bindte të luante me fanellën verdheblu, pas rreth dy vjet përpjekjesh. Por, në fund ish-kapiteni i kombëtares maqedonase nuk ka nënshkruar, pasi kushtet e ofruara në kontratë nga presidenti Laze nuk i kishin pëlqyer. Kushte, që ia ka plotësuar presidenti kavajas, Bizhdili.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›