Zgjedhjet e parakohshme, Veltroni i vetëm në garë
Italia do të shkojë në zgjedhje më 13 dhe 14 prill, pa Romano Prodin, dhe me të njëjtin ligj elektoral të miratuar në 2006-ën e të kritikuar nga e majta dhe e djathta. Ditën kur Kryeministri në detyrë deklaronte se nuk do të rikandidojë, Valter Veltroni, nis fushatën e tij elektorale dhe konfirmon se Partia Demokratike do të hyjë në garë e vetme. "Jam i bindur se në këtë moment, vendi ka nevojë për një ofertë të re, diçka që nuk e sheh prej 15 vitesh...", tha ai. Slogani që ka përzgjedhur është i njëjtë me atë të Barak Obamës, në SHBA: "Po, ne mundemi". Në anën tjetër, edhe Silvio Berluskoni po mendon opsionin e hyrjes i vetëm në zgjedhje, megjithëse aleatët i ka të mbledhur rreth tij. Sondazhet e vënë atë në krye kur kanë mbetur më pak se dy muaj e gjysmë nga zgjedhjet.