E Diel, 1 Nëntor 2026

De Jong, krahu i djathtë i Ari Han edhe në Shqipëri

Trajneri Ari Han ka publikuar emrin e ndihmesave të tij për edicionin eliminator të Botërorit 2010, periudhë ku do të drejtojë kombëtaren shqiptare. Krahu i tij i djathtë është Teodorus Jakob de Jong, në postin e trajnerit të portierëve është emëruar Nikolas de Berri dhe fizioterapist do të jetë Shtijn van de Bruk. Drejtuesi i stolit kuqezi i kishte bërë të qartë FSHF-së se do të punonte vetëm me njerëz që zgjidheshin prej tij, megjithatë shuma prej afro 20 mijë eurosh, e lënë në dispozicion për zv/trajnerin dhe trajnerin e portierëve, ka përbërë një pengesë jo të vogël. Për shkak të rrogës, De Jong do të fillojë punë vetëm në muajin maj, ndërkohë, pjesa tjetër e holandezëve të stafit do të jenë përkrah Han që prej datës 14 janar, periudhë kur starton grumbullimi në Antalia. Zv/trajneri Teodorus Jakob De Jong është një prej njerëzve besnikë të Ari Han. Prej 4 vitesh ai punon rregullisht me trajnerin e përfaqësueses kuqezi: fillimisht ka qenë zv/trajner te kombëtarja e Kinës, në periudhën kohore 2003-‘04 dhe më pas ka mbajtur të njëjtin rol edhe te kombëtarja e Kamerunit. 60-vjeçari, që në ambientet e futbollit njihet edhe si Teo (shkurtim i emrit Teodorus) gjatë vitit 2007 ka qenë edhe trajner i Stel Azin në Azadegan Ligë në Iran.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›