E Diel, 1 Nëntor 2026

Putin në Bullgari, për fuçinë ballkanike të gazit

Për datat 17 e 18 janar është njoftuar vizita e Presidentit rus, Putin, në Bullgari. Megaprojekti ruso-italian, i cili po hyn në fazën e punimit të fizibilitetit, rezultati i të cilit do të mësohet në fund të këtij viti, ka tërhequr vëmendjen e madhe.

Shumica e informacionit publik flet se ky gazsjellës do të ndahet në dy degë, në brigjet bullgare të Detit të Zi, në veriore e jugore. Krahu jugor do të shkojë nëpërmjet Greqisë deri në detin Jon e më pas përsëri nën det deri në Itali. Një degë e tij mund të shkojë drejt Shqipërisë. Traseja mund të ndjekë në pjesën më të madhe projektin e naftësjellësit "Burgas Aleksandropulos". Kështu bashkohet ndërtimi i tyre dhe zvogëlohen shpenzimet.

Për gazsjellësin biseduan dhe ranë dakord në Moskë në fund të vitit 2007 Presidenti rus, Putin, dhe Kryeministri grek, Karamanlis.

Nuk dihet raporti i kësaj dege me projektin rival të koncesionit turko-grek, i cili po ashtu do të përfundojë në Itali dhe për të cilin thuhet se do të transportojë gazin transit të Kaspikut dhe jo gazin rus.

Pozicioni i Bullgarisë

I parë nga këndvështrimi energjetik, pozicioni i Bullgarisë është mjaft i rehatshëm. Po rritet rëndësia e saj në planet energjetike strategjike ruse për rajonin e Ballkanit e Detit të Zi.

Presidenti i vendit, Përvanov, u përcaktua pro rrymës jugore që në takimin e Zagrebit, me rastin e takimit me Putinin. Në kryeqytetin bullgar dëgjohen zëra se Sofja është bërë "pedana energjetike" ruse për kërcim në rajon dhe më gjerë. Me pronësi shumicë ruse, krahas realizimit të naftësjellësit për në Greqi, të para në territorin e BE-së janë dhe "Rryma Jugore" e rafineritë e mëdha në Burgas, pronare e të cilave është "Lukoil".

Kohë më parë është nënshkruar marrëveshja për centralin bërthamor të Belenës në Danub. Do të jetë centrali i parë i ri bërthamor por jo i fundit, që do ta ndërtojë firma bërthamore ruse, "Atomstrojeksport", e cila është në pronësi të "Gazpromit".

Sofja llogarit se nga taksat e transitit të gazit me Rrymën Jugore do të realizojë një të ardhur vjetore 250 deri 400 milionë dollarë.

Por Sofja, si anëtare e BE-së, mbështet paralelisht edhe gazsjellësin NABUKO. Të dy gazsjellësit i sigurojnë Bullgarisë furnizim të qëndrueshëm, por dhe përforcim të pozitave rajonale.

Sofja mendon se pozita e saj si anëtare e BE dhe e NATO-s nuk bie në kundërshtim me praninë e madhe energjetike ruse. Praktikisht Bullgaria zë këtë pozicion: politikën sipas BE-së, sigurinë sipas SHBA-së, energjetikën sipas Rusisë.

Në Sofje dëgjohen kritika për praninë e fortë energjetike ruse, fakt që tregon se Bullgaria është akoma nën sferën ruse në energjikë, si dega më e rëndësishme e ekonomisë për shekullin XXI edhe pse është anëtare e BE-së dhe NATO-s.

Vlen të theksohet se Putinin në Sofje do ta shoqërojnë elita që komandojnë energjetikën ruse. Do të jenë drejtuesit e "Gazpromit", "Trasnjeftit", RAO UES dhe "Atomstrojeksport".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›