Partizani, në stërvitje me mendjen tek ofertat
Futbollistët e Partizanit kanë vendosur të mos bojkotojnë stërvitjen, duke menduar më shumë për të ardhmen e tyre. Ndonëse ishte paralajmëruar një bojkot i stërvitjes nga të gjithë futbollistët, në pritje të pagesës së rrogave të prapambetura tremujore, lojtarët janë shfaqur edhe dje në ambientet e klubit, duke vijuar normalisht stërvitjen nën urdhrat e trajnerit Lika. Mes tyre ka qenë edhe mesfushori Devolli, i cili deklaroi një ditë më parë se kishte shkëputur përfundimisht marrëdhëniet e klubit kryeqytetas. Kjo bëri të mendohej se presidenti Xhani i kishte shlyer detyrimet ndaj futbollistëve, të cilët nuk pranuan të prononcoheshin për situatën e krijuar në klub. Por më vonë është mësuar se lojtarët kanë vendosur të dalin në stërvitje jo për shkak të shlyerjes së detyrimeve të prapambetura, por për të ruajtur formën sportive, në pritje të ofertave nga skuadra të tjera gjatë merkatos së janarit.
Presidenti Xhani ka takuar dje disa prej futbollistëve, duke u kërkuar atyre që të presin edhe pak ditë për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura. Është mësuar se e vetmja garanci që i është dhënë atij nga lojtarët ka qenë ajo e paraqitjes në stërvitje në ditët në vazhdim, ndonëse nuk kanë saktësuar se sa do të zgjaste kjo situatë. Futbollistët kanë menduar që të vihen në urdhrat e Likës për t‘u përgatitur për fazën e dytë të sezonit, pavarësisht faktit nëse do të qëndrojnë te Partizani apo jo. Disa prej tyre janë vënë menjëherë në kërkim të skuadrave të tjera të Kategorisë Superiore, duke e menduar tashmë veten jashtë planeve të klubit kryeqytetas, mbi të cilin vazhdon të endet hija e shpërbërjes gjatë janarit. Lojtarët nuk kanë preferuar të komentojnë publikisht vendimin e marrë, por larg mikrofonave të gazetarëve kanë bërë të ditur se thuajse nuk kanë më shpresë për shlyerjen brenda afateve të detyrimeve të prapambetura. Sipas tyre, stërvitja ishte më se e nevojshme për të përgatitur pjesën e dytë të sezonit, të cilën shumë prej tyre pritet ta kalojnë larg Partizanit, sapo të konkretizohen ofertat e marra nga klubet e tjera. Duket se shembulli më konkret është ai i mesfushorit Bledar Devolli, i cili vetëm një ditë më parë deklaroi se nuk është më pjesë e Partizanit, për shkak të mosrespektimit të kushteve kontraktuale nga ana e drejtuesve të klubit. Futbollisti u paraqit edhe dje në stërvitje me skuadrën, duke preferuar të mos komentojë situatën e tij. Por, burime brenda grupit të lojtarëve kanë bërë të ditur se ai aktualisht po shqyrton ofertat nga klubet e tjera dhe se do të largohet nga klubi sapo të gjejë akordin me ndonjë nga skuadrat e Superiores. Pritet që shembulli i Devollit të ndiqet edhe nga lojtarët e tjerë në ditët në vazhdim.