Ministrat e BE-së, nesër takim për Kosovën
Ministrat e Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian, nesër në Bruksel do të diskutojnë për situatën në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë dhe për gjendjen që ka të bëjë me përpjekjet e BE-së për sistemimin e misionit EULEX. Gjithashtu, ministrat në kuadër të shqyrtimit të gjerë do të diskutojnë edhe për Ballkanin Perëndimor, të vendosur që BE të luajë rolin udhëheqës në sigurimin e stabilitetit afatgjatë në këtë rajon. Sipas një zyrtari të lartë të presidencës sllovene të BE-së, evropianët me kujdes po përcjellin situatën në Kosovë, ku do të vendoset misioni i BE-së. Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s në takimin e tyre të para dy ditëve kanë shprehur kënaqësinë me gjendjen e sigurisë në Kosovën e passtatusit dhe kanë theksuar se nuk ka ndarje. Pas takimit në selinë e NATO-s së ministrave kanë theksuar se situata në Kosovë është e qetë dhe nën kontroll. Zyrtarët e NATO-s kanë thënë se kësaj radhe diskutimi rreth Kosovës ishte përqendruar në aspektet e sigurisë e jo aq shumë rreth statusit. Prandaj është shprehur kënaqësi me faktin se situata është nën kontroll dhe se komandantët e KFOR-it në terren i kanë në dispozicion të gjitha mjetet e nevojshme për ta mbajtur situatën nën kontroll dhe për t‘u përgjigjur me vendosmëri ndaj çdo kërcënimi të sigurisë së Kosovës dhe qytetarëve të saj pa marrë parasysh a janë pakicë apo shumicë. Po ashtu zyrtarët e NATO-s kanë thënë se në takim ministrat kanë përsëritur përkushtimin e fortë për të mos lejuar kurrfarë skenarësh të ndarjes së Kosovës. E mbështetur nga Rusia, kryesuese e Këshillit të Sigurimit të KB për muaji mars, Serbia ka kërkuar një seancë të re të këshillit për të kundërshtuar pavarësinë e Kosovës. Duke u thirrur në burime të misionit rus në Nju Jork, agjencitë ruse të lajmeve njoftuan se Rusia ka konvokuar mbledhjen e Këshillit të Sigurimit për të martën e ardhshme. Pas takimit të ministrit të Jashtëm serb, Vuk Jeremiç Jeremiç, me ambasadorin rus, Vitalij Çurkin, ky i fundit tha se Rusia dhe Serbia do t‘i koordinojnë veprimet në strukturat ndërkombëtare për sa i përket Kosovës, veçanërisht në Kombet e Bashkuara.