E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës-Kukës, ja milionat e paguara

Rruga Durrës-Kukës është shndërruar padyshim si konsumatori më i madh i fondeve të buxhetit të shtetit. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Punëve Publike Transporteve dhe Telekomunikacioneve, për dy vitet e fundit, 2006 dhe 2007, kjo rrugë ka marrë nga buxheti i shtetit plot 214 milionë euro, ndërsa shuma që pritet të marrë gjatë vitit të ardhshëm është më e madhe edhe se dy vitet e mëparshme të marra së bashku. Ministria e Transporteve raportoi dje në Komisionin Kuvendor të Ekonomisë planet e qeverisë për të financuar këtë rrugë gjatë vitit 2008. "Për vitin që vjen parashikohet që rruga Durrës-Kukës të marrë nga buxheti i shtetit 274 milionë euro", thotë Yllka Zaloshnja, drejtoreshë e financimeve në Ministrinë e Transporteve. Rruga pritet të përfundojë në qershor të vitit 2009, sipas kontratës së nënshkruar mes qeverisë dhe kompanive që po merren me ndërtimin e saj, amerikanes "Bechtel" dhe turkes "Enka". Në total, deri në fund të vitit 2008, rruga pritet të marrë 484 milionë euro pa përfshirë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.

Kostoja totale

Por, në total e gjithë rruga do të kushtojë 620 milionë euro, prej të cilave 520 milionë janë për segmentin Kalimash-Rrëshen dhe 100 milionë eurot e tjera janë për segmentet Milot-Rrëshen dhe Kalimash-Morinë, pjesë e rrugës Durrës-Kukës. "Ne po ripunojmë pjesë të tij për të reduktuar kostot e projektit, por besoj se do të vërtitet te shifra 520 milionë euro", ka deklaruar pak javë më parë ministri i Transporteve, Sokol Olldashi. Sipas Olldashit, po punohet për disa detaje të vogla, që do të zyrtarizojnë shifrën prej 520 milionë eurosh për segmentin më të rëndësishëm Rrëshen-Kalimash. Gjatësia e tij është rreth 54 kilometra, duke bërë që kostoja për kilometër të jetë rreth 9.4 milionë euro, një rekord absolut ky për Shqipërinë. Ky segment parashikohet të ndërtohet me katër korsi dhe përfshin hapjen e dy tuneleve dhe ndërtimin e disa urave të mëdha.

Debati

Rruga është në qendër të një debati publik dhe politik në Shqipëri. Opozita ka akuzuar qeverinë se ka kryer një procedurë tenderimi korruptive, ndërkohë që kostoja totale, sipas saj, është mjaft e lartë. Nga ana tjetër, për të hedhur dritë mbi këtë çështje është ngritur një komision hetimor parlamentar, ndërsa Prokuroria e Përgjithshme ka nisur një hetim penal. Por, ish-ministri i Transporteve, Basha, njeriu më i përfolur dhe më i akuzuar nga ana tij, ka këmbëngulur se janë respektuar të gjitha procedurat dhe se prokuroria ka organizuar një sulm të motivuar politikisht.

Rruga

Gjurma e kësaj rruge kalon në Durrës-Vorë-F.Krujë-Milot-Rrëshen-Reps-Thirrë-Kalimash-Kukës-Morinë. Gjatësia totale e saj është 170 kilometër, prej të cilave 59 kilometra janë ekzistuese, ndërsa 111 kilometra janë për t‘u ndërtuar. Segmenti Durrës-Vorë-F.Krujë-Milot, gjithsej 59 km, konsiderohet ekzistuese dhe pjesë e Korridorit Veri-Jug. Segmenti Milot-Rrëshen, 26 km i gjatë, sipas Ministrisë së Transporteve kushton rreth 40 milionë dollarë. Në bazë të projektit të zbatimit të financuar nga qeveria shqiptare dhe të rishikuar nga Banka Botërore po kryhen punimet në Lotin 1 Milot-Skurraj 9 km, sipas një kontrate të lidhur në shkurt të 2007-ës me kompaninë sllovene SCT Ljublijana dhe të financuar nga Banka Botërore. Në shtator kanë filluar punimet edhe për 2 lotet e tjerë Skurraj-Rubik dhe Rubik-Rrëshen, të financuara përkatësisht nga BB dhe Fondi OPEC. Rruga e re Milot-Rubik-Rrëshen-Reps-Thirë-Kalimash-Kukës-Morinë shkurton ndjeshëm distancat e transportit në krahasim me rrugët ekzistuese dhe krijon kushtet për një lëvizje me shpejtësi 80-100 km/orë, duke realizuar lidhjen e Morinës me Durrësin, sipas Ministrisë së Transporteve për vetëm 2 orë e 30 minuta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›