E Diel, 1 Nëntor 2026

Pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese ka pranuar vetëm para pak ditësh të marrë në shqyrtim një kërkesë për të shfuqizuar ligjin famëkeq të gjobave. Kërkesa e bazuar në një argumentim të detajuar juridik, vjen nga shtatë grupime të njohura biznesi, Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri, Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë, Konfindustria/ Konfederata e Industrive të Shqipërisë, Shoqata e Hidrokarbureve, Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Shqiptaro-Britanike dhe Dhoma Greko-Shqiptare e Tregtisë dhe Industrisë. Siç thuhet në kërkesën e përbashkët, këto shoqata synojnë në radhë të parë të kujdesen e të mbrojnë interesat ekonomike të anëtarëve të tyre. Siç dihet, dispozitat ligjore për taksat paraqesin një rëndësi të veçantë për këto shoqata dhe për anëtarët e tyre, pasi dispozitat për taksat ushtrojnë një ndikim të drejtpërdrejtë e të fuqishëm në aktivitetet e tyre të përditshme. "Në këtë kuptim, neni 3(2) i Ligjit 9713 (ligji i parapagimit të gjobave), siç analizohet më poshtë, ka të bëjë drejtpërdrejtë me interesa dhe të drejta thelbësore ekonomike të anëtarëve të shoqatave kërkuese", thuhet në kërkesën e biznesit drejtuar Gjykatës Kushtetuese. Rrjedhimisht, në mbështetje të disa neneve të Kushtetutës, si dhe duke mbajtur parasysh praktikën gjyqësore të Gjykatës së Lartë, çështja si objekt i kësaj kërkese lidhet drejtpërdrejtë me interesat e kërkuesve, të cilët, për këtë arsye, legjitimohen plotësisht për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›