Debati tek Siguria, SHKB po dublon Policinë e Shtetit
Debat për draftin e SHKB-në në Ministrinë e Brendshme. “Po nxirren jashtë detyrës ligjore strukturat e Policisë së Shtetit”
TIRANË- Ashtu si projektligji “Për Prokurorinë” edhe ai “Për Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm (SHKB) në Ministrinë e Brendshme” ka ngjallur debate të ashpra midis pozitës dhe opozitës. Por ndërsa debati për projektligjin e parë vijon të zhvillohet në nivel mediatik, ai për SHKB-në ka përfshirë Komisionin parlamentar të Sigurisë Kombëtare, ku dje ka nisur dhe diskutimi në parim. Megjithëse mbledhja e djeshme e komisionit ishte parashikuar të ishte një seancë dëgjimore me grupet e interesit, ajo nuk i ka shpëtuar dot debatit dhe trajtimit politik të çështjes. Përfaqësuesit e opozitës kanë akuzuar ekzekutivin dhe konkretisht ministrin e Brendshëm, Bujar Nishani, i cili ishte i pranishëm në këtë takim, se po tentojnë të krijojnë një “super” SHKB me qëllim që të vënë nën kontroll të plotë Policinë e Shtetit. Sipas deputetit socialist, Pirro Lutaj, me atributet që ky projekt i jep SHKB-së, krijohet një institucion që në disa raste arrin të dublojë Policinë e Shtetit, ndërkohë që punonjësi i këtij institucioni merr kompetenca inspektuese. “Me atributet që i keni dhënë SHKB-së nëpërmjet termit “inspektim” po nxirrni jashtë detyrës ligjore kushtetuese administrative strukturat e varësisë e hierarkisë së Policisë së Shtetit, për mos të thënë po i dubloni ato”,- u shpreh Lutaj. Ndërkohë, akoma më i ashpër ka qenë deputeti tjetër, Petro Koçi, i cili ka akuzuar qeverinë se nën petkun e bashkëpunimit me misionet ndërkombëtare si ICITAP apo dhe OSBE-në, po përpiqet që të rrisë pushtetin e vet edhe mbi institucionet që sipas Kushtetutës parashikohen që të jenë të pavarura. Gjithashtu, sipas tij, projekti i jep një pushtet edhe më të madh Ministrit të Brendshëm në raport me kompetencat e SHKB-së. “Nuk mund të jetë justifikim, bashkëpunimi me këto institucione siç është ICITAP, OSBE apo EURALIUS, për tendencën që ka ekzekutivi i sotëm për të rritur pushtetin e vet politik mbi instanca dhe pushtete që nga pikëpamja kushtetuese janë të pavarura. Në konsideratën time, ligji që vjen ka dy tendenca thellësisht të rrezikshme: kemi një rritje të pushtetit të SHKB-së mbi strukturën e Policisë së Shtetit, por edhe mbi struktura të tjera të Ministrisë së Brendshme, në njëfarë mënyre krijohet një institucion pothuajse i frikshëm në raport me punën e kësaj ministrie dhe, e dyta, kemi një rritje të pushtetit të Ministrit në raport me funksionet e SHKB-së”, - tha Koçi. Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, i cili ka siguruar komisionin se qëllimi i këtij drafti është përcaktimi i qartë i kompetencave dhe fushës së veprimit të këtij institucione dhe jo vënia nën kontroll e Policisë së Shtetit. “Desha të sqaroja, se SHKB është një agjenci që ka objekt kontrollin vetëm të Policisë së Shtetit. Pra, kontrollon dhe inspekton vetëm Policinë e Shtetit. Çdo interpretim, çdo hamendësim për një strukturë që del me kompetenca të mëdha, është i pasaktë. SHKB është shërbim inteligjent, që kontrollon bazueshmërinë ligjore të veprimtarisë së Policisë së Shtetit”, - tha Nishani. Vërejtje ndaj draftit kanë paraqitur edhe shoqatat Joqeveritare. Sipas Komitetit Shqiptar të Helsinkit, drafti duhet riparë edhe një herë pasi, sipas projektit të paraqitur, ka përplasje kompetencash midis SHKB-së dhe Policisë së Shtetit.