Reforma, PD e PS drejt koalicionit të përbërë
TIRANË- Dy partitë kryesore në vend PD e PS janë parimisht dakord me konkurrimin në zgjedhje të koalicioneve të përbëra. Edhe pse nuk është konfirmuar zyrtarisht nga dy partitë kryesore, burimet cituan se parimisht është rënë dakord për një formulë të tillë, në takimet që janë zhvilluar së fundmi në nivel ekspertësh. Në fakt, sistemi i ri zgjedhor, ashtu siç kanë njoftuar edhe ekspertët, do të përshtatej më së miri me një koalicion të përbërë. Në këtë rast, votuesit, krahas koalicionit, do të zgjedhin edhe partinë në momentin që do të votojnë. Në këtë rast, llogaritjet e vendeve në Kuvend, kryhen në dy faza: fillimisht, llogariten vendet e fituara nga koalicioni mbi bazën e votave të fituara nga i gjithë koalicioni dhe më tej, vendet e fituara nga koalicioni i shpërndahen çdo partie në përbërje të tij, sipas votave të fituara nga secila parti. Formula e koalicionit të përbërë i është servirur tashmë partive të vogla të majta nga Partia Socialiste, e cila e ka bërë publike një nisme të tillë. Ndërkohë, konfuzë janë shfaqur demokratët (të paktën publikisht), të cilët deri më tani kanë pranuar disa formula koalicionesh, përfshi edhe atë të përbërë. Gjithçka nga kjo parti pritet të vendoset gjatë këtij muaji pas negociatash edhe me partitë aleate. Megjithatë, PD është e prirur të shkojë drejt një formule të tillë, pas negociatash në nivel ekspertësh. Formulën e koalicionit të përbërë e ka pranuar edhe PR, zyrtarë të lartë të së cilës e kanë cilësuar si më të pranueshmen për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Data e zgjedhjeve
Një tjetër çështje për të cilën nuk do të ketë tashmë diskutime është edhe periudha e zhvillimit të zgjedhjeve, një fakt tashmë i pranuar edhe gjatë sesionit të kaluar parlamentar në Komisionin e posaçëm të Reformës Zgjedhore. Kështu, komisioni për Reformën Zgjedhore, ka vendosur parimisht që zgjedhjet për Kuvendin ose organet e qeverisjes vendore të zhvillohen njëherësh në një ditë, të shtunë/diel, në të gjithë territorin e vendit, brenda periudhës që shtrihet nga 15 Mars deri në 30 Qershor, ose nga 15 Shtator deri në 30 Nëntor. Sipas këtyre ndryshimeve, data e zgjedhjeve për Kuvendin caktohet me Dekret të Presidentit të Republikës, sipas rregullave të parashikuara në nenin 65, të Kushtetutës, dhe zhvillohen në periudhën zgjedhore që i paraprin mbarimit të mandatit të Kuvendit. Kështu, duke qenë se Kuvendi aktual mbaron mandatin e vet në datën 3 shtator 2009, atëherë sipas këtyre ndryshimeve zgjedhjet duhet të mbahen pikërisht në periudhën zgjedhore mars-qershor të po të njëjtit vit.