E Diel, 1 Nëntor 2026

"Unë, djali sekret i Kennedy-t"

46 vjeç, me origjinë teksane, një
njeri i pasur dhe biznesmen
në Vankuver, i pasionuar pas
kuajve, me të njëjtin avokat që
mbrojti hajdutët që ndezën skandalin
e Watergate-it dhe me ish-kunatën e
George Bush-it mes ish të fejuarave të
tij, përveçse bukurosh dhe i fortë deri
në atë pikë sa mund të ringjallë mitin e
Camelot (kështu e quajnë amerikanët
periudhën kur ishte President JFK). Ky
është, Jack Worthington II, i sigurt se
është djali natyror i ish-presidentit John
F. Kennedy, deri në atë pikë sa ka bindur
revistën "Vanity Fair", televizionin
ABC dhe një numër të madh gazetash
kanadeze për t‘u treguar një histori që
në dukje duket më se e vërtetë, të cilën
avokati e përmbledh me dy fjalë:
"Mamaja ime, Evelyn Worthington,
katër vjet më parë, më tha se nuk isha fëmija
i burrit me të cilin ajo ishte martuar,
që unë kujtoja se ishte im atë, por i John
F. Kennedy, me të cilin ajo kishte pasur
një lidhje në Houston, në Texas, në fillim
të viteve ‘60-të, vetëm pak kohë pas
zgjedhjes së tij në Shtëpinë e Bardhë".
Worthington ka lindur më 22 nëntor të
vitit 1961, në të njëjtën ditë, që kur plot
2 vjet Kennedy u vra gjatë një vizite në
Dallas. Që kur e ëma i tregoi këtë sekret,
që kishte ngelur i tillë për katër dekada
me radhë, djali nuk ka lënë askënd pa
ia treguar një histori të tillë. Fizikisht
ngjan shumë me John Fitzgerald, madje
aq shumë sa shpesh e ndalojnë në rrugë
për t‘ia thënë, ndërsa njerëzit që kanë
mundur t‘i njohin të dy, tregojnë se kanë
karakter të ngjashëm me njëri-tjetrin.
Një njeri i pushtetshëm, biznesmen dhe
avokat i zoti në "British Columbia", John,
është aq shumë i bindur për lidhjen farefisnore
me Kennedy-t, sa nuk ka nguruar
të shkrepë edhe disa fotografi përkrah
të atit për të treguar se sa shumë ngjan
me të. Por, "çmenduria" shkon më tej ku
përmes valëve të televizionit amerikan
ABC, ka deklaruar se është gati që të
heqë dorë nga emri i vet për të marrë
atë të riun John Fitzgerald Kennedy
III. Mediat përtej oqeanit e kanë marrë
shumë seriozisht këtë çështje, duke
nisur nga "The Globe and Mail", gazeta
më e madhe, e përditshme dhe më e
rëndësishme në Kanada, ndoshta ngaqë
edhe ndërtimi i skemës së takimit mes
Evelyn Worthington dhe ish-presidentit
amerikan, duket tërësisht i vërtetë.
Familja e saj pati financuar fushatën e
zëvendëspresidentit Lyndon B. Johnson
dhe gjatë një mitingu elektoral, Kennedy
dhe Evelyn u takuan dhe ranë në dashuri.
Më pas, lidhja e tyre sentimentale
vazhdoi në Houston, në një kohë kur
martesa e Worthington ishte në krizë
dhe Evelyn, një nënë e re dhe e bukur,
dukej e dënuar për t‘i ndenjur pranë
bashkëshortit të saj të moshuar, i prekur
nga një sëmundje gjenetike e pashërueshme.
Pikërisht, kjo sëmundje gjenetike
qëndron në origjinën e pretendimeve
të Jack Worthington II, sepse i frikësuar
që e kishte trashëguar nga i ati, e ëma i
pati thënë se nuk kishte përse të kishte
frikë, pasi ai ishte djali i John Kennedy.
Analizat e mëvonshme gjenetike
konfirmuan se në organizmin e tij nuk
ekzistonte gjeni-vrasës, njëlloj me atë
të babait, me mbiemrin e të cilit ishte
regjistruar në gjendjen civile. Por, ai që
ka thyer shpresat e të ashtuquajturit
"djali sekret i Presidentit Kennedy", siç
e quan ai veten, është hetimi i kryer nga
reporteri David Friend, të cilit revista e
famshme "Vanity Fair" i besoi që të zbulonte
se çfarë qëndron pas gjithë kësaj.
Për një vit rresht, Friend, duke gërmuar
në jetën e këtij biznesmeni, udhëtoi
në Teksas e Kanada, mblodhi një mori
faktesh, rindërtoi lidhjen sentimentale
me Sharon-in, ish-gruan e Neil Bush,
dhe u përpoq të takonte të ëmën e Jack,
Evelyn, që nuk pranonte të fliste me
askënd. Në pamundësinë për të gjetur
prova të sigurta për atësinë e Kennedy-t,
reporteri i besoi gjithçka analizës së
ADN-së, të zhvilluar falë krahasimit
gjenetik mes një fije floku të Jack Worthington
II dhe asaj të ish-presidentit, që
gazetari e pati marrë në një bibliotekë
dhe më pas e kishte besuar në duart e
Shiya Ribowsky, mjeku i njohur amerikan
që bëri analizat gjenetike për të
verifikuar identitetin e mijëra viktimave
të "Ground Zero" pas sulmeve tragjike
të 11 shtatorit. Përfundimi doli negativ
dhe "Vanity Fair", në numrin e fundit të
saj, doli duke treguar se si arriti t‘i çjerrë
maskën të ashtuquajturit "djalit sektet
i Kennedy-t". Por, "djali" duket se nuk
dëshiron t‘i mbyllë gjërat kaq shpjet. Pas
këtij rezultati nga ekranet e televizionit
ABC, duke prezantuar tezën e vet, duke
treguar si prova diferencat gjenetike
me burrin e së ëmës dhe ngjashmërinë
me Kennedy-n tha: "Kërkoj që ADN-ja
ime të krahasohet me atë të çdo anëtari
tjetër të familjes Kennedy", duke lënë
të kuptohet se nuk do të heqë dorë
kollaj. Por ajo që e bën më intrigante
çështjen është sjellja e familjes Worthington.
Nëse e ëma vazhdon të mos
flasë për këtë çështje, duke mos dashur
të përgënjeshtrojë apo konfirmojë teorinë
mbi lidhjen e saj klandestine me
Kennedy-n që mund të ketë ndodhur
në fillim të vitit 1961, të afërmit përmes
një komunikate për shtyp, kanë dashur
të hedhin poshtë ato që pretendon biznesmeni
kanadez. "Ajo çka pretendon
është e rreme dhe ne nuk e kemi idenë
se përse po vazhdon ta bëjë diçka të
tillë". E vërtetë apo e rreme qoftë çështja
mbi atësinë biologjike, vëmendja që po
i kushton kësaj çështjeje publiku i gjerë,
konfirmon edhe një herë se sa i gjallë ka
ngelur në mendjet e amerikanëve miti i
Camelot-it. Për këtë arsye, jo rastësisht,
më pak i habituri për polemikën rreth
"trashëgimtarit" të paligjshëm të JFK-së,
është senatori i
Massachusetts, Edwards Kennedy,
njëkohësisht edhe vëllai i ish- presidentit
amerikan. Ata që e pyetën se çfarë
mendonte për "djalin sekret", sipas një
miku të tij të afërt, i ishte përgjigjur
kështu: "Jemi mësuar me ngjarje të
tilla. Këto gjëra ndodhin shpesh dhe
nuk i japim kurrë më shumë rëndësi se
sa duhet". Me pak fjalë, miti i tradhtisë
së Presidentit të vrarë është ngulitur aq
shumë, sa nuk duhet të harxhosh shumë
kohë për të përgënjeshtruar ekzistencën
e lidhjeve që amerikanët në një mënyrë
apo në një tjetër, do të besojnë se janë
të vërteta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›