Demtimi, Kapllani ka edhe fatin kundër
Situata e Edmond Kapllanit te Karlsruher është komplikuar edhe më tej. Sulmuesi i kombëtares shqiptare, i cili ndodhet së bashku me skuadrën në Turqi për fazën përgatitore, ka pësuar një dëmtim muskulor dhe është i detyruar të ndërpresë përgatitjet me pjesën tjetër të grupit. Tërheqja e ka lënë 25-vjeçarin jashtë miqësores së parë që skuadra e Bundesligës ka fituar me shifrat 3-1 me Vehen. Megjithatë, dëmtimi bëhet më i rëndë për dy arsye: së pari shqiptari nuk do të marrë përgatitjen e duhur fizike në fazën përgatitore dhe do ta ketë më të vështirë që të konkurrojë si i barabartë me sulmuesit e tjerë të skuadrës. Problemi ka ardhur edhe në kohë të papërshtatshme, pasi vetëm pak ditë më parë Karlsruher ka blerë sulmuesin e Nurembergut, Xhoshua Kenedi. Megjithëse ka qenë një prej protagonistëve kryesorë të ngjitjes së skuadrës në elitën e futbollit gjerman, Kapllani është lënë për një kohë të gjatë jashtë formacionit titullar. Sulmuesi nuk ka arritur të zhbllokohet në këtë sezon, pasi ende nuk ka gjetur rrugën e rrjetës.