E Diel, 1 Nëntor 2026

Rustemi, kthim në Regionalliga

Blerim Rustemi, mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare të futbollit, po mendon kthimin në Gjermani, ndonëse me një skuadër të kategorive të ulëta. Futbollisti është kthyer në Regionalliga, ku një sezon më parë luante me skuadrën e dytë të Borusias së Mynshengladbahut. Por tani, ai ka zgjedhur Eintrahtin e Branshvajgut, duke ndjekur gjurmët e ish-shokut të tij të skuadrës, Bekim Kastratit. Kjo skuadër gjatë vitit të kaluar militonte në Bundesligën 2, por nuk arriti të mbijetonte, duke u kthyer përsëri në origjinë. Gjatë këtyre ditëve, Rustemi do të jetë në provë me skuadrën e Braunshvajgut, me të cilën mund të luajë në pjesën e dytë të sezonit. Gjatë pjesës së parë, ai iu bashkua Horsens në kampionatin danez, por nuk arriti të gjente një vend në formacionin e skuadrës, duke ndërprerë kontratën e tij me këtë ekip. Lojtari cilësohej si një alternativë për mbrojtjen e kombëtares nga ish-trajneri Bariç, por mosaktivizimi në kampionat solli edhe paraqitjet aspak bindëse me fanellën kuqezi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›